Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çitaku për vendimin ndaj Bordit të RTK-së: Shkelës serik të Kushtetutës

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të martën se shkarkimi i tetë anëtarëve të Bordit të RTK-së nga Kuvendi i Kosovës është bërë pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për RTK-në.

Çitaku, në një postim ndonëse të shkurtër në rrjetin e saj social Facebook, i quajti pushtetarët “shkelës serik të Kushtetutës”.

Kushtetuesja tha të martën se për pasojë, në nxjerrjen e këtij vendimi, Kuvendi i Kosovës ka tejkaluar kufijtë e kompetencës mbikëqyrëse dhe për më tepër ka cenuar pavarësinë e RTK-së.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kishin votuar më 2021 pro shkarkimit të Bordit të RTK-së.

Kuvendi pati votuar pro shkarkimit të Bordit për secilin anëtarë veç e veç. Emrat e anëtareve Bordit të shkarkuar të RTK-së janë: Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku.

“Shkelës serik të Kushtetutës.#KrejtdheDrejt”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Rasti i sotëm nuk është i vetmi që pushteti i Qeverisë Kurti ka shkelur Kushtetutën e Kosovës. Tejkalimin e kompetencave e kishte bërë edhe ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e udhëhequr nga Arbërie Nagavci.

Kushtetuesja kishte konstatuar se MAShTI ka bërë shkelje me vendimin e 23 prillit 2021, ku jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës dhe hidhte poshtë reformën e ndërmarrë nga Qëndron Kastrati, ish-kryetar komune.

Në këtë rast, Nagavci shkeli Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Njashtu si Nagavci, edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte bërë shkelje të aktit më të lartë juridik të vendit.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së.

Pushteti i LVV-së kishte shkelur Kushtetutën edhe në rastin e karantinimit të Prizrenit, si dhe kur ishte vendosur orë policore si masë parandaluese të pandemisë COVID-19.