Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çka deklaroi në Prokurori mësimdhënësi që dyshohet për sulm seksual ndaj të miturës në Deçan?

Mësimdhënësi nga Deçani i cili po dyshohet për sulm seksual ndaj një të miture, e ka mohuar ta ketë kryer këtë vepër.

Një video-incizim i publikuar në media ditëve të fundit, tregon një moment ku mësimdhënësi shihet duke e puthur një nxënëse, vajzë e mitur.

Edhe kjo e fundit, sipas dosjes së prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, ka deklaruar në stacionin policor se i dyshuari V.S. e ka puthur në buzë atë dy herë, pa pëlqimin e saj.

Ndërsa i dyshuari, V.S. në deklaratën e tij e pranon që është mësimdhënës i viktimës, se ka qenë në dijeni të moshës së saj, por veprimet e tij kanë qenë vetëm duke e përkëdhelur dhe duke iu vendosur dorën në kokë dhe se i njëjti e ka afruar afër vetit për disa sekonda, tek faqja.

I dyshuari V.S, e ka mohuar sulmin seksual, por që sipas dosjes së prokurorisë, kjo është bërë me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale, ngase video-incizimi i kësaj ngjarjeje e vërteton të kundërtën.

Për këtë rast, Prokuroria themelore në Pejë ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për mësimdhënësin në fjalë nën dyshimin se ai ka kryer dy vepra penale sulm seksual dhe kanosje.

Sipas dosjes së prokurorisë, i dyshuari V.S., dyshohet po ashtu se ka kanosur edhe personin apo dëshmitarin që e ka bërë video-incizimin e rastit në fjalë.