Një janari i vitit të ardhshëm shënon fundin e një epoke te gjatë izolimi të qytetarëve të Kosovës, në mungesë të liberalizimit të vizave. Kur kanë mbetur edhe 5 muaj deri në këtë datë, institucionet e Kosovës, ende nuk kanë filluar fushatën informuese mbi atë se çfarë është dhe çfarë nuk është liberalizimi i vizave.
Kësaj pritjeje i vjen fundi edhe 5 muaj, kur edhe hyn në fuqi vendimi për lëvizjen e lirë drejt zonës Schengen. Por në vend ende nuk ka nisur fushata informuese me qytetarët për atë se çfarë lejohet dhe çfarë jo kur hyn në fuqi liberalizimi.
Në mesin e qytetarëve ka edhe të atillë që shpresojnë të punojnë në shtetet e Evropës, pavarësisht që liberalizimi nuk e lejon një gjë të tillë.
Në Qeverinë e Kosovës thonë se fushata e liberalizimit të vizave do fillojë në muajt shtator-tetor e pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2024.
“Me nisjen e lëvizjes së lirë më 1 janar, po përkushtohemi maksimalisht që qytetarët të jenë të informuar paraprakisht në çfarë konsiston ajo dhe të shmangim potencialisht tentativat për keqpërdorim të lëvizjes pa viza në zonën Shengen. Kjo fushatë do të targetohet edhe në terren, përmes shpërndarjes së materialeve informuese, e po ashtu dhe në rrjetet sociale dhe mediat televizive”.
Materiale informuese si video e adresime nga personalitete publike të fushave të ndryshme do të kontribuojnë në informimin e saktë dhe të detajuar. Tashmë jemi në procesin e konsolidimit të materialeve informuese dhe përgatitjeve paraprake të nevojshme për realizimin e fushatës.
Analisti Fitim Mulolli thotë se institucionet duhet të punojnë në informimin e të gjitha shtresave të shoqërisë dhe se shtatori është koha e fundit kur duhet të nisë kjo fushatë.
“Qeveria duhet të sigurojë që të depërtojë në të gjitha zonat e Kosovës, përfshirë edhe viset rurale, sepse andej ka më pak gravitet ku qarkullon informata, prandaj duhet një fushatë gjithëpërfshirëse dhe intensive”, tha Mulolli.
Më19 prill në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u mundësuar qytetarëve lëvizje të lirë në Zonën Schengen më së voni nga 1janari i vitit 2024. Me liberalizim, udhëtimin pa vizë mund ta bëjë çdo qytetar shtetas i Republikës së Kosovës në shtetet e zonës Schengen, por nuk mund të qëndrohet më gjatë se 90 ditë, çdo gjashtë muaj.