Asambleja Parlamentare e NATO-s e miratoi sot rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.
AP e NATO-s përbëhet nga 281 delegatë nga 32 vendet anëtare të NATO-s. Çdo delegacion bazohet në madhësinë e vendit dhe pasqyron përbërjen politike të parlamentit, duke përfaqësuar kështu një spektër të gjerë të opinionit politik. Delegatët emërohen nga parlamentet e përkatëse.
Përveç delegatëve të vendeve të NATO-s, në aktivitetet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s marrin pjesë edhe delegatë nga deri tani 9 vende të asociuara, 4 vende të asociuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare, duke e çuar numrin total të delegatëve në rreth 362.
Kosova nga sot është në mesin e vendeve të asociuara. Anëtarët si Kosova nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e Asamblesë.
Vendet me status të tillë mund të marrin pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetet e Komitetit dhe Nënkomitetit, të gjitha seminaret e Rose-Roth dhe seancat plenare. Në seancat plenare, anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Ata gjithashtu mund të shërbejnë si Raportues Special të Asociuar në Komitete për të paraqitur perspektivat e tyre.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO theksohet si prioriteti kryesor i vendit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë por ky proces s’ka lidhje procedurale me statusin që iu avancua sot në AP të Aleancës Veriatlantike.
Qeveria e Kosovës kishte shprehur dëshirën për të aplikuar për anëtarësim në Partneritetin për Paqe – programin e NATO-s që synon të krijojë bashkëpunim ndërmjet shteteve anëtare dhe joanëtare.
Qeveria e pati krijuar një grup punues për t’u përgatitur për të aplikuar në këtë program. Por për t’u anëtarësuar aty, rregullat janë të njëjta si për anëtarësim në NATO: kërkohet pajtimi i të gjitha shteteve anëtare të NATO-s. Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania janë vendet anëtare të Aleancës që nuk e njohin Kosovën.
15 nga 35 shtete që morën pjesë në këtë program, më pas u anëtarësuan në NATO. Kështu ishte rasti me Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, dhe Malin e Zi.
Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina janë pjesë e këtij programi që nga viti 2006, por s’janë anëtare të NATO-s.