Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çka përfitojnë qytetarët nga 13 marrëveshjet Kosovë-Shqipëri?

 
   

Ani pse nuk u ulën përballë njëri-tjetrit në një tryezë siç është zakon, dy kabinetet qeveritare Shqipëri e Kosovë e dhanë vulën e tyre për 13 marrëveshjet që ishin planifikuar të nënshkruheshin.

Pavarësisht polemikave për shtyrjen e mbledhjes së përbashkët, rruga e ujdive të përbashkëta u hap, fillimisht me nënshkrimet e ministrave të Shqipërisë e pastaj atyre të Kosovës.

Siç njoftoi vetë Qeveria në Prishtinë, 13 marrëveshjet mbulojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, nga siguria, drejtësia e deri te arsimi dhe kultura.

Në ministrinë e Drejtësisë bëjnë me dije se kanë nënshkruar Marrëveshje për njohjen e së drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, për çka thonë se përfitues do të jenë qytetarët e të dyja vendeve.

“Qëllimi i është marrëveshjes që ndërmjetësuesit dhe avokatet e të dyja vendeve të kenë të drejtë që profesionin e avokatit ta ushtrojnë në  kushtet të barabarta pa as një pengesë sikurse në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri”, ka sqaruar Eros Gashi Këshilltar në Ministrinë e Drejtësisë.

Gjithashtu, ministrat e Brendshëm nga të dy vendet kanë nënshkruar edhe deklaratën e përbashkët duke u zotuar bashkërisht për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Ajo përfshinë kryesisht lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar dhe avancimin e shkëmbimit të informacioneve përmes sistemeve të Menaxhimit të Kufirit, avancimin e Qendrës së Përbashkët për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, si dhe avancimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e krimit.

Edhe këtë marrëveshje po e sheh fort të dobishme njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala, i cili thotë se bashkëpunimi lufton me efikasitet sidomos krimin e organizuar dhe kontrabandën.

“Sa i përket fushës së sigurisë kjo [marrëveshje] do t’i ndihmojë jashtë zakonisht [sistemit të drejtësisë] në luftimin e krimit të organizuar,  kontrabandës e cila ditëve, javë dhe muajve të kaluar kemi pasur një rritje të tyre me që është në sezonin verore ku nuk kemi kontrolle kufitare. Kalim i kësaj marrëveshjeje nga ana e dy qeverive unë mendojë që do të ndihmojë në shkëmbimin e informacioneve do të jetë në kohë reale dhe me pastaj masat preventive nga të dyja palët ”, ka thënë Drizan Shala, Njohës i çështjeve të sigurisë.

Një tjetër marrëveshje është ajo e bashkëpunimit në fushën e inspektimeve, ku parashikohet që Shqipëria t’i dhurojë Kosovës portalin “e-inspection”.