Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çka po ndodh para takimit të dyshes Kurti-Vuçiq që pritet të mbahet pasnesër në Bruksel?

 
   

Kanë mbetur edhe dy ditë prej kur pritet të ndodh takimi i radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq. Para negociatave Prishtinë-Beograd – Gjermania dhe SHBA-të kanë shtuar “presionin” në Kosovë dhe Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të hënën me Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth në Kosovë.

Në takimin mes tyre është biseduar edhe për takimin mes Kurtit dhe Vuçiqit më 14 shtator në Bruksel.

“Gjatë bisedës u diskutua rreth reformave të Qeverisë, situatën aktuale në vend, dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe takimin e radhës të nivelit të lartë politik që do të mbahet të enjten e kësaj jave, si dhe për rrugëtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa, gjermani Michael Roth në rrjetin e tij social X, ka thënë se Kurti duhet ta pranojë që e ardhmja është multietnike dhe se duhet të ketë përparim mes Kosovës dhe Serbisë

“Më në fund kemi nevojë për një përparim në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Faleminderit kryeministër Albin Kurti për angazhimin e qartë ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës dhe vlerave europiane. E ardhmja e kufijve të sigurt është multietnike. Duhet ta pranosh edhe këtë”, ka shkruar ai.

Përveç me takimin me gjermanin Roth, Kurti ka pasur një bisedë telefonike edhe me emisarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kurti ka bërë të ditur se me Esobarin ka biseduar për takimin, ku ka konfirmuar se është i gatshëm për negociata aktive gjatë takimit në Bruksel.

“Kisha një telefonatë me Escobar. Diskutuan rëndësinë e sigurimit të zbatimit të plotë dhe të shpejtë të Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit të saj. Konfirmova gatishmërinë time për t’u angazhuar në negociata aktive gjatë takimit të dialogut në Bruksel dhe e falënderova për mbështetjen e ShBA-së”, ka shkruar Kurti në X.

Më 14 shtator, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel do të mbahet rundi i ri i dialogut në nivel të lartë.

Ky do të jetë takimi i parë i Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që kur tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit.

Takimi i fundit mes bartësve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 2 maj, – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Kryetarët e rinj shqiptarë që dolën nga këto zgjedhje po kundërshtohen nga serbët lokalë. Hyrja e tyre në ndërtesat komunale në fund të majit, rriti tensionet të cilat u përshkallëzuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, pas përleshjes së protestuesve serbë me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet. Prishtinës i është kërkuar që të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq Beogradit që të inkurajojë serbët të marrin pjesë në votime.

Së fundi, Kosova ka paraqitur një udhëzim administrativ që u mundëson qytetarëve të largojnë kryetarët e komunave përmes një peticioni.

Kosova po ashtu po kërkon që të zbatohet Marrëveshja drejt normalizimit që arriti me Serbinë në shkurt në Bruksel. Në mars, në Ohër palët arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të saj.

Në 11 nenet e marrëveshjes nuk përfshihet njohja reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime që nga viti 2011. Kosova kërkon që në fund të procesit të arrihet një marrëveshje ku do të përfshihej edhe njohja reciproke, ndërkaq Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi-pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.