Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë prezente, mirëpo këto tensione vazhdimisht janë të shkaktuara nga Vuçiq duke nxitur kështu edhe destabilizim në Ballkan.
E në lidhje me zhvillimet e fundit në vend për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Skënder Mulliqi.
Ai thotë se ka 30 vite që Serbia po mundohet të krijoj situata dramatike në Kosovë duke mos lënë anash as provokimet e fundit.
“Ka 30 vite që shoqëria në Serbi është zhytyr thellë në fashizëm. Kjo çmenduri e rrezikshme nuk u ndal as pas rrëzimit të Millosheviqit. Kjo logjikë fashizoide vazhdoi, me regjimet e Koshtunicës, Nikoliqit, Tadiqit e tash të Vuçiqit. Aleksandar Vuçiq u formua politikisht në nacionalizmin ekstrem serb, që duket se nuk ka rrugëdalje. Kjo mund të shihet në retorikën e tij demagogjike e agresive. Ai po krijon situata dramatike dhe gjoja rreziqe për Serbinë, dhe më pas deklaron se nuk do të lejojë askënd që ta “poshtërojë dhe shkelë” Serbinë”, u shpreh ai.
Më tej, analisti përmend Memorandumin e SANU-së dhe sipas tij nacionalizmi serb është formula më primitive dhe më demagogjike.
Skënder Mulliqi
“Politika serbe është mbushur me deklarata të politikanëve serbë, duke i fajësuar fqinjët, kur dihet se Serbia është i vetmi vend në rajon i cili ka ngritë lartë flamurin e shovenizmit të verbuar serbomadh. Edhe më herët ,por vitet e 80, kur u shfaq Memorandumi i SANU-së, ka karakterizuar hegjemoninë totale shpirtërore të nacionalizmit serb. Ky memorandum ka përcaktuar dhe modeluar në mënyrë më primitive ndërgjegjen shoqërore dhe skenën publike e politike, në edukimin e brezave të ri në frymën e tij. Nacionalizmi serb është formula më primitive dhe më demagogjike, për popullin serb gjoja si populli “qiellor”. Bëhen sikur kanë harruar se gjatë gjithë historisë i kanë sulmuar dhe kanë dashur t’i shkatërrojnë shqiptarët. E gjithë kjo ka pasur dhe ka në prapavijë qëllimin për të pasur Serbinë e Madhe”, shpjegon analisti.
Në fund, ai shton që Serbia nuk ka dal nga gjendja e sëmur, dhe as që po tentojnë të përballen me të vërtetën.
“Madje ata shkuan aq larg sa derdhjen e gjakut të shqiptarëve e konsideruan të shenjtë. Sigurisht se të gjitha këto i di mirë bashkësia ndërkombëtare, e cila ende po vazhdon ta miklon regjimin kriminal të Vuçiqit. Serbia nuk ka dal nga gjendja e sëmur, dhe as që po tentojnë të përballen me të vërtetën, se ata janë që krijuan mizoritë e fundshekullit të kaluar, dhe me këtë logjikë shoviniste po vazhdojnë edhe në këtë fillim shekulli. Ende, nuk e kanë kuptuar se pësuan disfatë në luftërat e viteve të 90-ta, në idenë e formimit të Serbisë të Madhe, dhe se prap do të dështojnë në këtë projekt afatgjatë të tyre”, përfundoi Mulliqi për “Bota sot”.