Shtetet e Bashkuara kanë ngritur një aktakuzë kundër dy punonjësve të medies ruse “Rusia sot” , krahut mediatik të Kremlinit.
Në aktakuzë thuhet se ata i kanë dhënë gati 10 milionë dollarë një kompanie e cila u quajt vetëm “Kompania 1” në dokumentet e gjykatës, por që CNN e ka identifikuar atë si Tenet media.
Departamenti i Drejtësisë pretendon se kompania financohej nga operativë rusë që punonin si pjesë e një operacioni të orkestruar nga Rusia për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA.
Sipas një zyrtari amerikan, Tenet media është e lidhur me komentuesit e krahut të djathtë me miliona abonentë në YouTube.
Në faqen e tyre ata e përshkruajnë veten si një rrjet komentuesish heterodoksë që fokusohen në çështjet politike dhe kulturore perëndimore.
Ndër komentuesit e listuar në faqen e internetit të Tenet Media janë personalitetet e krahut të djathtë Benny Johnson dhe Tim Pool.
Pool intervistoi Trump në podkastin e tij në maj.
Administrata Biden të mërkurën njoftoi një sërë veprimesh gjithëpërfshirëse për të trajtuar një përpjekje të madhe të mbështetur nga qeveria ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit 2024, duke përfshirë sanksionet ndaj 10 individëve dhe subjekteve, dhe sekuestrimin e 32 domeneve të internetit.
Qëllimi i operacionit rus, sipas prokurorëve, ishte të nxiste narrativat pro-ruse duke nxitur përmbajtje dhe artikuj lajmesh që favorizonin kandidatin republikan për president Donald Trump dhe të tjerë që Kremlini i konsideronte më miqësor ndaj interesave të tij.
Nën drejtimin e presidentit rus Vladimir Putin, tre kompani ruse përdorën profile të rreme për të promovuar narrativa të rreme në mediat sociale, tha në një deklaratë zëvendësprokurorja e përgjithshme e SHBA-së Lisa Monaco, shkruan CNN, transmeton Tëvë1.
Tags: “Rusia sot”RusiaSHBA