Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Daily Mail”: Riviera Shqiptare, sekreti më i bukur i pushimeve në Evropë

Unë jam Gilbert Ott, një ekspert udhëtimesh dhe më poshtë vijojnë disa nga arsyet pse Riviera Shqiptare është destinacioni sekret më i bukur i pushimeve në Evropë dhe gjithçka që duhet të dini për perlën e panjohur, Shqipërinë, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen britanike “Daily Mail”, përcjell atsh.

Ku ndodhet riviera shqiptare?

Mësimet në gjeografinë e Evropës janë gjithmonë argëtuese, pjesërisht pasi ato zakonisht janë befasuese. Riviera shqiptare është vetëm pak milje përtej ishullit të Korfuzit, në kufirin me Greqinë dhe shume afër gjeografikisht me Pulian, në Itali.

Nëse nuk jeni interesuar për një vijë bregdetare të bukur më parë, shpresojmë t’iu ndihmojë të kuptoni se Shqipëria është saktësisht një ndër destinacionet me plazhet dhe detin më ikonik në Evropë.

Udhëtimi në Shqipëri nuk është aq i vështirë sa dikur.

Linjat ajrore më të mira evropiane si “Lufthansa” dhe “British Airways” tani ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta në Tiranë dhe shumë linja ajrore me ulje çmimi si “Wizz Air”, “Al’italia” dhe “Pegasus”. Por, sërish ju duhet të udhëtoni më shumë se katër orë me makinë deri në bregdet.

Në vend të kësaj, kapja e një prej fluturimeve drejt Korfuzit ju ofron mundësine për të shkurtuar rrugën. Nga Korfuzi, duhen vetëm 30 minuta me traget në zemrën e rivierës shqiptare.

Kush do ta donte atë?

Është një destinacion për udhëtarët që kërkojnë një vendpushim me plazhe të mrekullueshëm, ushqim të shijshëm dhe trashëgimi kulturore magjepsëse, me një çmim të përballueshëm.

Riviera shqiptare ofron ujëra blu të pastër, plazhe me rërë dhe atmosferë të qetë. Nëse do t’ju duhej ta krahasonit me një vend tjetër, me siguri ajo do të ishte Greqia. Ujërat e thellë blu, shkëmbinjtë e bukur, ushqimet e detit të freskëta dhe mënyra e qetë e jetesës, të gjitha të servirura me hijeshi të lakmueshme.

Asnjë nga vendpushimet nuk kushton 700 dollarë nata si në Greqi apo Itali, por nëse dëshironi diçka të mahnitshme me një çmim të përballueshëm prej 70 dollarësh (58 paund), ky është vendi ideal.

Ku të shkoni?

Le të themi të vërtetën, asgjë këtu nuk i përshtatet kostove të turizmit si në Itali apo Greqi, por kjo perlë e vogël, sekreti i Evropës Lindore po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve.

Saranda është qyteti më i njohur i Rivierës dhe ia vlen të eksplorohet, duke përfshirë zona si Ksamili, Dhërmiu dhe Vuno që priren të fitojnë zemrat dhe mendjet e udhëtarëve.

Një listë e hoteleve të Sarandës në “Tripadvisor” tregon se çmimi më i lartë arrin në 100 dollarë nata (83 paund), shumica janë rreth 50 dollarë (41 paund) dhe mund të gjeni të tjera me kosto më të ulët. E njëjta gjë vlen edhe për Ksamilin.

Nëse doni të përjetoni bukurinë e një vendi për të cilin pothuajse të gjithë kritikët pranojnë se është thjesht i mrekullueshëm, ai është Ksamili. Gjithçka këtu është autentike dhe unike.

Ushqimet e detit rivalizojnë më të mirat në botë, plazhet janë të bukura, të vogla dhe shpesh gjysmë bosh dhe qyteti ju vendos në një pozicion praktikisht të përsosur për të eksploruar vendet e afërta me interes kulturor, duke përfshirë zonën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Butrintin.

Ai ndodhet pranë një zone të ruajtur në mënyrë perfekte me rrënoja nga koha greke dhe romake dhe kënde të pabesueshme.

Për shkak se turistët tërhiqen nga ujërat blu kristal, një tjetër vend që duhet të vizitohet përgjatë rivierës shqiptare është “Syri i Kaltër”.

Kjo vjeshtë misterioze natyrore është fenomenale për ta eksploruar. Imagjinoni një mjedis të qetë dhe të bukur në stilin e lumit, ku një vrimë e thellë 50 metër, me ujin magjepsës blu, fluskon duke krijuar një iluzion optik.

“Syri i Kaltër” është një vend i çmuar në historinë shqiptare.

Kur mund ta vizitojmë rivierën shqiptare?

Kjo zonë, është pothuajse e përsosur nga maji deri në tetor. Natyrisht, në një vend me plazhe të mrekullueshëm dhe ujëra blu kristal, është thelbësore t’i shijoni kur moti është i ngrohtë.

Gjithashtu, fundi i majit përpara fluksit të verës ose mesi i shtatorit, janë ndoshta muajt më idilikë për t’u vizituar.

Nuk ka shumë destinacione ku mund të përjetoni diçka të bukur dhe unike me çmime të përballueshme dhe kjo pjesë e botës në zhvillim (Shqipëria) nuk do të qëndrojë nën radar për shumë kohë.