Pajtimi i Kosovës dhe i Serbisë për zbatimin e plotë të Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur me dhunë, po mirëpritet nga njohës të procesit të dialogut. Sipas tyre, dakordimi për themelimin e një Komisioni të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e kësaj deklarate është pozitiv por ka shqetësime që rrugës mund të dalin pengesa nga Serbia dhe mund të zvarritet sërish ky proces.
Dakordimi për themelimin e komisionit u bë të martën gjatë takimit trepalësh ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, me të dërguarin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ndër zotimet në këtë deklaratë janë qasja në informacione të besueshme, përfshirë edhe atyre me status të kualifikuar dhe vënia në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi në përcaktimin e fatit të personave të zhdukur.
Analisti politik, Seb Bytyçi thotë për KosovaPress se takimi në nivel të kryenegociatorëve më 17 dhjetor ka prodhuar rezultate përtej pritjeve.
Sipas tij, produktiviteti i takimi të së martës është rezultat edhe i përbërjes së re të Komisionit Evropian dhe qasjes së re në dialog të shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Bytyçi: Serbia mund të zvarritë sërish procesin
“Është arritur shumë më shumë sesa që është pritur nga ky takim. Për shkak të zgjedhjeve në Kosovë tani s’po ka lëvizje të mëdha, mirëpo ndoshta është një takim shpresëdhënës në kuptimin që me komisionin e ri të BE-së mund të ketë një qasje më ndryshe. Kjo mund të ketë ndikuar në arritjen e këtyre marrëveshjeve. Nëse kjo është e vërtetë, ndoshta mund të pritet ndonjë ndryshim i qasjes në dialog…Është mjaft problem, e kemi pa që zbatueshmëria e marrëveshjeve është problemi kryesor. Te themelimi i komisionit edhe ndërmjetësuesi ka një obligim pasi komisioni do të udhëhiqet nga BE-ja. Nëse BE-ja dëshiron të tregojë seriozitet atëherë duhet të lëvizë shumë shpejtë që të aktualizojë komisionin. Jam i sigurt se edhe Kosova do të lëvizë shpejtë pasi i konvenon që të ekzistojë një trup i tillë që i procedon ankesat e saja për çështje të ndryshme që dalin nga Serbia…Megjithatë mund të presin se do të ketë zvarritje nga Serbia pasi ajo është strategji e zakonshme”, thotë ai.
Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi thotë për KosovaPress se dakordimi për themelimin e komisionit të përbashkët për të pagjeturit dhe nisja e diskutimeve për hapjen e pikave të reja kufitare me Serbinë është pozitive. Mirëpo sipas tij, nevojitet arritja e marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve.
Ai thotë se përkundër pajtimit për tema teknike, Serbia po vazhdon agresionin ndaj Kosovës përmes sulmeve terroriste, siç ishte ai në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor, dhe ai në Banjskë vitin e kaluar.
Arifi: Këto marrëveshje teknike mund të zvarriten dhe të vonohen
“Çështjet teknike me Serbinë nuk kanë efekt më. Ne sa më shumë që po bëjmë marrëveshje teknike ata më shumë po e fuqizojnë terrorizmin. Këto dy gjëra nuk përputhen me njëra-tjetrën. Unë mendoj se duhet të shkohet në marrëveshjen finale. Çdo tentim për të rregulluar çështje teknike, kjo marrëveshje është nënshkruar dhe tash janë pajtuar. Po më duket është humbje e kohës dhe që s’po zgjidhë probleme. Pa marrëveshje finale mendoj se nuk mund të sillemi rreth e rrotull dhe pa ndonjë gjë konkrete…Edhe nëse themelohet në janar, vetëm themelimi shikoni sa ka marrë kohë dhe puna konkrete mund të vazhdojë edhe me vite. Esenca është që Serbia nuk është përmirësuar dhe mentaliteti serb nuk është pro-perëndimor dhe ky është problemi që këto marrëveshje teknike mund të zvarriten dhe vonohen. Mandej rezultati është sërish një sulm terrorist”, thekson ai.
Pas takimit trepalësh në Bruksel, zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryenegociator për dialog me Serbinë, Besnik Bilsimi tha se pret që muajin e ardhshëm të mbahet mbledhja e parë e komisionit të përbashkët që do të formohet. Sipas tij Serbia ka premtuar se nuk do të paraqesë pengesa.
Takimi i djeshëm në kuadër të dialogut u tha se është i fundit për këtë vit.
Mandati i përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak përfundon në fund të janarit 2025.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, mirëpo që ende nuk ka nisur zbatimi konkret i saj.
Thirrje për zbatim të obligimeve të dala nga dialogu i Brukselit pati edhe nga ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së, në mbledhjen e 17 dhjetorit.