Gjysma e shtratit qëndronte zbrazur. Herë pas here, bardhësia e çarçafit thyhej nga dora e një nëne, që ishte mësuar që gjatë gjithë natës ta shihte aty vajzën e saj të porsalindur.
Por, që kur rrezet e diellit ndriçuan dhomën e saj në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Blerinës nga Obiliqi i kishte ikur buzëqeshja.
“Çika po të gjëmon. Do ta marrim për ta kontrolluar për probleme në frymëmarrje”, mban mend Blerina t’i ketë thënë një infermiere, mëngjesin e 4 korrikut.
Një natë më parë, edhe pse e lodhur nga procesi i lindjes, ajo thotë se nuk bëri asnjë sy gjumë. Duke i bërë fotografi të njëpasnjëshme vajzës së saj e duke e shikuar, Blerinën e kishte kapluar lumturia që ishte bërë nënë për herë të parë.
Por, vendi ku kishte fjetur vajza e saj, tani qëndronte zbrazur dhe sytë që më parë rrudhoseshin nga buzëqeshjet vesh më vesh, tani ishin mbushur me lot.
“Jam mësuar me të. Tash po më duket keq, po e këqyr vendin [ku më parë ishte foshnja] vazhdimisht. Po mërzitem… sefte e kam, të parën”, thotë ajo.
Një infermiere që qëndron aty pranë në dhomë, tregon se foshnjat mund të merren për përkujdes shtesë edhe kur problemet nuk janë shumë serioze. E kjo bën që Blerina të shpresojë që, së shpejti, në dhomën me mure ngjyrë bezhe e dysheme gri, nëntë shtretërit të kenë prapë nëntë nëna me nëntë fëmijë.
Edhe pse shkalla e vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë ka rënë në mënyrë drastike pas luftës së fundit, më 1999, ajo mbetet më e lartë se në vendet e tjera të rajonit./rel