Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Debati në Këshillin e Evropës: Shumica e deputetëve e mbështesin Kosovën

 

Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës rreth orës 17:30, ka filluar diskutimi lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë.

Shumica e deputetëve që kanë marrë fjalën, e kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës.Në fund, pritet edhe votimi i raportit.
Dora Bakoyannis, e cila edhe e ka përpiluar këtë raport, tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.Ajo ka thënë se juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.

Bakoyannis ka përmendur hapat që ka bërë Kosova për t’i përmbushur kushtet, përfshirë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Kishës Ortodokse serbe në Deçan. Këtë e ka quajtur si “problemin më të madh në zbatimin e ligjit në Kosovë që ka pritur nga viti 2016”.

Duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ajo ka thënë se këtë e ka konsideruar si çështje krejtësisht në kompetenca të brendshme të Kosovës. Por, ka thënë se kjo ka qenë një gur themel në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që e udhëheqë BE-ja. Prandaj, shtoi ajo, kjo çështje nuk është në duart e Këshillit të Evropës.Ajo ka folur edhe për komente agresive që i ka marrë për raportin, shumicën e tyre prej vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën.

Ajo u ka thënë atyre se duhet të jenë të sinqertë dhe të pranojnë se këto vende në asnjë rast nuk do ta mbështesnin raportin.
“Sepse ata refuzojnë idenë e shtetit të Kosovës, e jo vetëm respektimin e kushteve”, tha Bakoyannis.Ajo tha se nuk ka pasur detyrë të merret me çështjen e shtetësisë.

“Po të ishte kështu, unë nuk do të pranoja ta bëja raportin”, duke shtuar se ajo do të përshtatej me qëndrimin e vendit të saj, Greqisë.Deputeti i Kuvendit të Kosovës Enis Kervan nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDPT) i bëri thirrje Asamblesë për votë pozitive për Kosovën.
“Ne promovojmë tolerancë, dialog… Kushtetuta jonë garanton mbrojtjen e të drejtave për të gjitha pakicat kombëtare. Pakicat kombëtare kanë përfaqësi në trupa të rëndësishme vendimmarrëse, duke përfshirë, Qeverinë, gjyqësorin dhe institucionet lokale”, tha Kervan.Nerea Ahedo, deputete nga Spanja, tha se i takon grupit që ka mbështetur pavarësinë e Kosovës, përkundër qëndrimit të shtetit të Spanjës dhe e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ka pyetje që duhet të zgjidhen. Anëtarësimi do të forconte të drejtat e njeriut. Ne do të mbështesnim këtë rrugë [të anëtarësimit]. Mirëpresim integrimin dhe mendojmë që kjo do të jetë edhe një mënyrë për të promovuar stabilitetin në atë zonë”, tha Ahedo.Oleksii Goncharenko, deputet ukrainas mbështeti anëtarësimin e Kosovës.
“Dua të uroj Kosovën. Kosova e meriton. Bota e lirë duhet të bashkohet”, tha ai deputeti Goncharenko, vendi i të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.Deputeti gjerman Frank Schwabe përgëzoi raportin mbi Kosovën dhe bëri thirrje për anëtarësim e saj.
“Këshilli i Evropës, me vlerat tona dhe rregulla dhe kemi dinjitetin tonë. Ky anëtarësim nuk është një mjet për negocim. Ju kërkoj të mbështesni raportin e balancuar dhe t’i refuzoni amendamentet që e rrezikojnë këtë baraspeshë”, tha ai.Zsolt Nemeth nga Hungaria si përfaqësues i Partisë Evropiane Konservatore, tha se është kundër raportit që u prezantua sot.
Një ndër arsyet kryesore, siç tha ai, është çështja e mosthemelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.“Çështja e dytë është Serbia. Mospërfillja e interesave të Serbisë është destabilizuese”, tha ai.
“Ne po mbrojmë të drejtat e individëve”Ndërkohë, Iulian Bulai, anëtar nga Rumania, shtet i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, tha se e përkrah anëtarësimin e Kosovës dhe se pret që Kosova t’i përmbushë obligimet që vijnë me anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Lufta jonë nuk është për shtetet, por për të drejtat e individëve. Ne po mbrojmë të drejtat e individëve, jo të shteteve dhe etnive. Vendimi i sotëm do të thotë më shumë të drejta për mbi 1.6 milion njerëz, plagët e të cilëve ende po shërohen dhe janë të obliguar të krijojnë një të ardhme të përbashkët. Kosova është gati dhe meriton të pranohet në Këshillin e Evropës, por duhet të sigurojë një mbrojtje të duhur për komunitetin serb”, tha Bulai si përfaqësues i grupit, Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës.Piero Fassino nga Italia tha se të drejtat e pakicës serbe mund të mbrohen më mirë nëse Kosova është pjesë e Këshillit.