Gjatë dëshmisë së tij pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, dëshmitari Gjergj Dedaj tha se është duke pësuar, si dhe ka hakmarrje ndaj fëmijëve të tij të cilët janë në punë.
Dedaj tha se përveç në Facebook, ka ofendime edhe nga Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Më brengos shumë dhe më lë pa gjumë edhe fëmijët e mi më kanë shkru mramë. Kam marrë me qindra ofendime prej hienave të Facebook-ut, miliongonave, mushkonjave të Facebook-ut, por edhe nga Zyra e Presidentes të ashtuquajtur Osmani, e cila e dimë se si ka ardhë Presidente, u kanë në LDK, e ka keqpërdor LDK-në…Unë jam ka pësoj dhe ka hakmarrje edhe ndaj fëmijëve të mi që janë në punë”, tha Dedaj.
Lidhur me deklaratat e tij të pasluftës, Dedaj tha se ka hulumtuar dhe e ka kuptuar që lidhur me atë ngjarje Hashim Thaçi është i pafajshëm.
“Të gjitha deklaratat e mia prej vitit 2001 dhe deri e kam kuptu atë, më është dashur shumë kohë me e kuptu saktë se kush ka bashkëbisedu me mu, posaçërisht grupi kush ka qenë që është përplas me ne. Sot e asaj dite dhe nuk kam dëshirë me vdekë pa i ditur ata emra se kush kanë qenë ata. E kam vizitu edhe Qirezin, kam shku edhe në Qirez me mbledh informacione në Drenicë e ku kam mujtë me e ditë saktë se kush ishte fajtor dhe ka fundi, mas një kohë shumë të gjatë, jo për me justifiku diçka këtu, jam bind se Presidenti Hashim Thaçi, ama bash lidhje as fajin më të vogël nuk e ka për atë situatën në Qirez dhe Baicë”, tha Dedaj.
Tutje, Dedaj tha se e falënderon Thaçin, pasi që sipas tij ai i ka shpëtuar.
“Sikur të ishte e kundërta i kisha thënë që është fajtor dhe as nuk mërzitna. Është absolutisht i pafajshëm, bile vetëm e falënderoj, mos të kishte qenë ky në atë moment atje nuk e di se çfarë do të kishte ndodhë me ne, kjo është e vërtetë”, tha tutje dëshmitari Gjergj Dedaj.