Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Deklarata e Macron për Kosovën, Komisioni Evropian: Një shtet i vetëm nuk pezullon dot vizat

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024 dhe do t’i lejojë ata që të udhëtojnë brenda hapësirës së Bashkimit Evropian për 90 ditë.

Është kjo e përgjigja e dhënë nga zëdhënësja e Komisionit Europian për Punët e Brendshme, Anitta Hiper pasi u pyet nga A2 CNN, nëse Franca ka propozuar pezullimin e liberalizimit të vizave të Kosovës.

Përpos kësaj, Komisioni Europian sqaron se shtete të veçanta nuk mund të vendosin që të pezullojnë një regjim të lëvizjes pa viza pasi ky i fundit është vendosur.

Vendime të tilla, siç sqaron KE për A2 CNN, mund të merren vetëm nëse kanë një konsensus të plotë në nivel të BE-së.

“Ne jemi në kontakt me të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Euopian dhe nuk bëjmë komente mbi komentet. Në prill 2023, Parlamenti Europian dhe Këshilli adoptuan rregulloren 2023/850 të (BE), duke u hequr mbajtësve të Pasaportës së Kosovës, regjimin e vizave”, ka thënë Hiper.

“Liberalizimi i vizave për shtetasit e Kosovës do të hyjë në fuqi në 1 janar të vitit 2024. Do t’ u lejojë qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë në hapësirën e Bashkimit Europian pa viza për 90 ditë në çdo periudhë kohore prej 18 ditësh”.

“Komisioni ka vlerësuar që nga korriku 2018 se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Kosova ka punuar vazhdimisht për të përmbushur standardet”.

“Shtete të veçanta anëtare nuk mund të vendosin të pezullojnë një regjim pa viza. Rregullat në lidhje me dhënien, pezullimin ose përfundimin e përjashtimeve të vizave janë plotësisht të harmonizuara në nivel të BE-së dhe kërkojnë vendime në nivel të BE-së”.