Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, dje në një konferencë për media, duke folur për situatën mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për letrën që kanë pranuar nga 56 parlamentarë nga Europa dhe SHBA me kërkesën që të sillen në mënyrë të barabartë si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj Serbisë, tha se Kosova u ndëshkua për shkak se u soll në “mënyrë joeuropiane”.
Ky kualifikim i Stanos fillimisht u sfidua nga një gazetare prezente në sallën e konferencave në Bruksel, e cila e pyeti Stanon nëse të njëjtën sjellje e ka edhe Serbia.
Por, kjo deklaratë e Stanos nxiti reagime e kritika në rrjete sociale që e akuzojnë BE-në për njëanshmëri.
Një e tillë së fundi erdhi nga eurodeputeti gjerman, Reinhard Bütikofer, i cili thotë se ajo që Stano tha është zëri i shefit të tij, Josep Borrell.
Bütikofer madje kërkoi që Borrell për këtë të japë përgjegjësi para Parlamentit Europian.
“Çfarëdo marrëzie që zëdhënësi kryesor për punë të jashtme të BE-së shqipton, ai është zëri i zotërisë së tij – dhe Josep Borrell duhet të mbahet përgjegjës nga Parlamenti Europian për një politikë krejtësisht të dështuar, shumë të njëanshme dhe të padrejtë: qeverinë autoritare serbe që ai përqafon dhe Kosovën që ai kritikon dhe sanksionon”, ka shkruar ai në Twitter.
Eurodeputeti Bütikofer në PE vjen nga Grupi i të Gjelbërve/Aleanca e Lirë Europiane.
Në konferencë, Stano përmendi vendosjen e masave ndaj Kosovës, duke thënë se arsyeja për këtë ishte sjellja joeuropiane e Kosovës në tensionimin e situatës në veri.
“Dhe ajo që kemi bërë së fundi në dritën e eskalimeve aktuale është ndërmarrja e masave kundër Qeverisë së Kosovës për shkak të paaftësisë së tyre që të nisin të sillen në një mënyrë europiane në deeskalim dhe për të ndërmarrë hapa të konsiderueshëm për deeskalim”, tha ai.
Pas kësaj, pasoi pyetja e gazetares.
“Ju e përshkruat qasjen e Kosovës… thatë që po sillet në një mënyrë joeuropiane, a do të thoshit që po sillet edhe Serbia në këtë mënyrë?”, ishte pyetja e saj.
Stano nuk iu përgjigj direkt, por dha një përgjigje të përgjithshme se si duhet të sillen palët për t’i përmbushur synimet e tyre të deklaruara për integrim europian.
“Ne shumë herë kemi diskutuar të gjitha aspektet e ndryshme të sfidave në dialog dhe çështjet e ndërlidhura dhe ajo çfarë BE pret nga të dyja palët është një sjellje europiane dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhje europiane dhe në fund të dyja duan t’i bashkohen Bashkimit Europian. Ato kanë deklaruar se integrimi europian është prioriteti i tyre strategjik”.
Zëdhënësi i BE-së tregoi edhe se si duket një sjellje europiane.
“Të sillesh në mënyrë europiane nënkupton të sillesh në mënyrë konstruktive në deeskalim dhe të jesh në gjendje të arrish kompromiset e nevojshme dhe konsensusin e nevojshëm. Ky është mesazhi që ne po përcjellim ditë pas dite, javë pas jave e muaj pas muaji, sidomos në kontekstin aktual të menaxhimit konstant të krizave”.