Në një deklaratë që ka nxitur reagime të forta, kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Brnabiq, ka komentuar situatën e tensionuar dhe të dhunshme në Parlamentin serb, duke fajësuar fqinjët e Serbisë dhe, në veçanti, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Sipas Brnabiqit, dhuna dhe kaosi në Parlament u shërbejnë interesave të atyre që, sipas saj, nuk duan një Serbi të qetë dhe të prosperuar, duke përfshirë media dhe vende të tjera në rajon.
Megjithatë, kjo qasje ka hasur në kritika të ashpra. Deklaratën e saj e ka quajtur “skandaloze” gazetari i medias gjermane Deutche Welle, Bahri Cani, përcjell Bota sot.
Sipas Canit, problemi buron nga vetë politika serbe dhe përgjegjësia e qeverisë për problemet e brendshme, duke përfshirë keqmenaxhimin dhe skandalet, si ato që lidhen me projektet në Novi Sad, ku raportohen humbje jetësh.
“Çfarë deklarate skandaloze – Albini po gëzohet! Çfarë konference skandaloze e Ana Brnabiqit, kryetare e Parlamentit të Serbisë, pas rrahjeve, grushtimeve dhe përgjakjeve në Kuvend. Deputetët e opozitës dhe partisë SNS në pushtet janë rrahur në mënyrë masive. Ndërsa Ana Brnabiq u përpoq të qetësojë gjendjen me ofendime të fqinjve. “Skenat e tilla i duan vetëm disa njerëz në Prishtinë, këtyre skenave u gëzohet vetëm Albin Kurti, do t’i festojë “Slobodna Bosna” (gazetë në B-H), mediat kroate dhe disa media të tjera, disa vende të tjera, që nuk duan një Serbi të qetë, paqësore dhe me prosperitet”, tha ajo. Jo, jo zonja Brnabiq – fajin e keni vetë. Ndoshta vërtet ka shumë njerëz që ju gëzohen grushtimeve mes jush. Por skandali ka ndodhur për shkak se 15 njerëz në Novi Sad kanë vdekur pas “renovimeve” në kohën e qeverisë tuaj. Rrahnu sa të doni, por të gjithë e kanë kuptuar se kush është fajtor për këto vdekje në Novi Sad, e të gjithë ne e dimë po ashtu se kush është fajtor për vdekjen e qindra mijëra njerëzve në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë e Kroaci”, ka shkruar Cani në një postim në Facebook.
Komentet e Brnabiqit, që devijojnë fajin nga qeveria serbe tek “armiqtë e jashtëm”, gazetari I sheh si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për kaosin e brendshëm
“Në fakt, personalisht nuk mendoj shumë për rrahjet e deputetëve në Parlamentin e Serbisë. Le të rrahen sa të duan, por kanë kaluar kohërat kur për çdo gjë mund të fajësohen të tjerët. “Macja erdhi te portieri”, thuhet në gjuhën serbe, që në interpretim të lirë i bie, e keqja ka ardhur në detën tuaj – dhe për këtë duhet të përgjigjen ata që e kanë sjellë Serbinë në këtë gjendje, nga e cila vuan populli serb por edhe rajoni. Albini, B-H, Kroacia apo dikush tjetër i ka fajet tani për dështimet në ndërtimet e stacioneve hekurudhore në Novi Sad apo qysh? Dje e thashë, e po e përsëris edhe sot, shumë zullum është mbledhur në shpirtin dhe në duart e disa njerëzve në Beograd. Përgjegjësinë e keni vetë dhe për këtë duhet të përgjigjeni. Zgjedhësit në Serbi i kanë fajet që durojnë njerëz të tillë, por ky është problemi i tyre!”, ka shkruar më tej Bahri Cani.