Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se deklarimi i pasurisë së kryeministrit Albin Kurti në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit nuk ka asnjë logjikë të raportimit.
Miftaraj ka thënë se Kurti është duke bërë investime në Norvegji, transmeton Telegrafi.
“Viti 2018, Albin Kurti blen banesë në Oslo, Norvegji në vlerë prej 400 mijë euro. Sipas Kryeministrit, i njëjti ka hyrë në kredi prej 270 mijë Euro. Sidoqoftë, nëse i lexon deklarimet e pasurisë së Albin Kurtit nuk kanë pikë logjikë të raportimit. Viti 2020, Kryeministri Kurti dhe familja e tij janë në obligime për blerjen e banesës në vlerë prej 231,961 Euro”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Ai ka përmendur edhe deklarimin e pasurisë së Kurtit në vitin 2021, 2022 dhe 2023.
“Një vit më vonë, obligimet e kryeministrit për blerjen e banesës rriten në 300,000 Euro për banesën e njëjtë. Viti 2022, Obligimet e Kryeministrit Kurti bien ne 250.000 Euro për blerjen e banesës. Viti 2023, Kredia e Kryeministrit bie ne 220.000 Euro”, theksoi ai.t
Sipas Miftarajt, nga këto deklarime ka kuptuar se Kurti po dërgon remitanca në Norvegji
“Krejt çka kuptova nga deklarimi i pasurisë së Kurtit ndër vite ishte, se përderisa diaspora jonë sjell remitanca në Kosovë, Kryeministri Kurti dërgon remitanca në Norvegji. Derisa diaspora jonë kursimet e tyre i investojnë në Kosovë, Kryeministri Kurti kursimet e tij po i investon ne Norvegji”, thuhet në postimin e tij.
Ndryshe, ditë më parë, kryeministri Kurti ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Kurti ka deklaruar se ka një banesë, vlera e të cilës arrin 400 mijë euro.
Kryeministri i vendit, ka bërë të ditur se ka 1 mijë e 500 euro të gatshme në institucione financiare.
Gjithashtu, Kurti ka deklaruar se edhe bashkëshortja e tij ka 2.500 euro në një bankë.