Të akuzuarit Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq, Aleksander Vlajiq dhe Miomir Vakiq janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut.
Një deklarim të tillë, të njëjtit e dhanë të martën, në seancën fillestare pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Afrim Shefkiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Absolutisht nuk jam fajtor”, tha i akuzuari Pantiq.
Edhe të akuzuarit Milenkoviq, Vlajiq dhe Vakiq deklaruan se nuk e ndjejnë veten fajtor.
Meqenëse të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, i ka njoftuar të njëjtit që brenda afatit ligjore prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Ndryshe, seanca fillestare e caktuar më 12 janar 2024, ishte shtyrë me propozim të mbrojtjes pasi që të njëjtit nuk ishin pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.
Në aktakuzën të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” thuhet se Pantiq, Milenkoviq, Vlajiq dhe Vakiq më 6 dhjetor 2022, në ora 14:39, kishin kryer sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së, duke hedhur granata dore dhe shok bomba. Aktakuzën e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU.
Më 13 dhjetor 2023 PSRK kishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës për Pantiq dhe ty të tjerët.
Më 12 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi një muaj paraburgim ndaj ish-policit serb, Dejan Pantiq, ndërsa më 28 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ia zëvendësoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ndërsa arrestimi i tij kishte nxitur reagime nga pala serbe, e që u pasua me vendosjen e barrikadave në pika kufitare.