Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në vitin 2016 kishte dekoruar 100 personalitete shqiptare të fushave të ndryshme nga Maqedonia, akt ky që nga analistë e gazetarë në Shkup e Prishtinë ishte parë si ndërhyrje në garën zgjedhore në Maqedoni.
Në ceremoninë e ndarjes së këtyre dekoratave të mbajtur në një hotel në Shkup, Thaçi kishte thënë se ndjehej krenar që këto dekorata ndahen në prag të përvjetorit të 108-të të themelimit të Alfabetit të sotëm shqip në Kongresin e Manastirit.
Por dita kur Thaçi i ndau këto dekorata kishte koinciduar me ditën e parë të fushatës për zgjedhjet parlamentare në Maqedoni të cilat ishin thirrur të mbahen më 11 dhjetor.
“Sot jam i lumtur dhe i privilegjuar që gjendem në mesin tuaj. 108 vite më herët, shqiptarët ende duke mos qenë të pavarur, vendosën që t’i japin kombit një orientim të qartë politik, historik, kulturor e civilizues. Ata, duke përzgjedhur një alfabet latin, edhe pse ende pjesë e Perandorisë Osmane, vendosën që të jenë me Perëndimin”, kishte thënë Thaçi.
Në mesin e të dekoruarave në atë kohë ishin edhe kryetari i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me shumë bashkëpunëtorë të partisë së tij dhe ai i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.