Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Delegacioni i Kuvendit po merr pjesë në takimin plenar të COSAC-ut, në Budapest të Hungarisë

 
   

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, në përbërje të kryetares së Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi dhe zëvendëskryetares Fjolla Ujkani, si dhe një zyrtar i komisionit, po merr pjesë në Takimin Plenar LXXII të Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Evropian të Parlamenteve të BE-së (COSAC), që po mbahet në Budapest të Hungarisë nga 27 deri më 29 tetor 2024.

“Ky takim plenar i COSAC-ut që mbahet dy herë brenda vitit, paraqet njërin ndër takimet më të rëndësishme të Presidencës së rotacionit të BE-së të realizuara në kuadër të dimensionit parlamentar. Në këtë konferencë ndërparlamentare marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit e komisioneve parlamentare për çështje të BE-së të parlamenteve kombëtare të 27 shteteve anëtare të BE-së, përfaqësues nga Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian, institucione dhe agjenci të ndryshme të BE-së, përfaqësues nga Qeveria e Hungarisë dhe institucionet e tjera ekzekutive. Pjesëmarrës të këtij takimi gjithashtu janë përfaqësuesit e vendeve kandidate për anëtarësim të cilat marrin pjesë në cilësinë e vëzhguesit, kurse vendet me status të kandidatit potencial apo ato që mbajnë marrëdhënie të veçanta, marrin pjesë në cilësinë e mysafirit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Për shkak të qëndrimeve të Qeverisë së Hungarisë, Presidenca hungareze e Këshillit të BE-së është përcjellë me shumë vëmendje dhe interes, sidomos për Republikën e Kosovës.

Temat kryesore të cilat ishin pjesë e diskutimeve në Takimin Plenar të COSAC-ut ishin: programi dhe rezultatet e Presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, gjendja e Bashkimit Evropian në vitin e tranzicionit institucional dhe zbatimit në 15-vjeçarin e Traktatit të Lisbonës, trendët dhe reagimet demografike evropiane në nivel kombëtar dhe evropian, siguria dhe mbrojtja evropiane etj.

Kurse dy deputetet e Kuvendit të Kosovës, Krasniqi dhe Ujkani kanë diskutuar në lidhje me perspektivën e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit Evropian.

“Deputetja Rrezarta Krasniqi u shpreh se Parlamenti hungarez ka ndihmuar Kuvendin e Kosovës në fuqizimin e rolit të tij parlamentar, ndër vite përmes Projektit të Binjakëzimit, si dhe ka falënderuar shtetin hungarez për prezencën e trupave ushtarake në kuadër të KFOR-it, të cilët kontribuojnë në ruajtjen e një ambient të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët dhe sigurinë e kufijve të Republikës së Kosovës”.

“Gjithashtu kryetarja Krasniqi ka kërkuar mbështetjen e Hungarisë në heqjen e masave sanksionuese të vendosura ndaj Kosovës dhe pranimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Përveç kësaj, ajo ka kërkuar mbështetjen e parlamenteve kombëtare që të ndryshojnë qëndrimin e 5 shteteve anëtare të BE-së: Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Qipros, karshi shtetit të Kosovës dhe të respektojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i cili ka vërtetuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

“Ndërsa deputetja Fjolla Ujkani tha se ndodhemi në një momet të rëndësishëm të rrugtimit në BE, dhe shënimi i 15 vjetorit të Traktatit të Lisbonës i cili i ka sjellë Evropës më shumë vlera demokratike, megjithatë ky vizion nuk është i përmbushur pa përfshirjen e të gjitha 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën. Ajo tha se Kosova është e gatshme për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian, jo vetëm si aleate e natyrshme por si një kontribuese proaktive e stabilitetit dhe promovimin e vlerave të demokracisë”.

Presidenca hungareze e Këshillit të BE-së në kuadër të dimensionit parlamentar pas përmbylljes së saj, do t’i kalohet asaj të Polonisë e cila mban Presidencën nga 1 janari deri me 30 qershor 2025.

“Delegacioni gjithashtu ka vizituar Ambasadën e Republikës së Kosovës në Budapest dhe së bashku me Ambasadorin Delfin Pllana ka zhvilluar një takim të përbashkët, ku prezentë ishin edhe z. Etjen Xhafaj deputet në Kuvendin e Shqipërisë, z. Ilir Hasani deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe z. Nikolla Camaj deputet në Kuvendin e Malit të Zi”.