Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Delegacioni i Policisë së Kosovës merr pjesë në konferencën e udhëheqësve të lartë policorë

 
   

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha me stafin e tij, prej datës 06-11.04.2025, kanë marrë pjesë në konferencën e udhëheqësve të lartë policorë për implementimin e rregullave për mbrojtën e të drejtave të njeriut në institucionet ligjzbatuese-SWIRPO, ku përveç Kosovës morën pjesë edhe përfaqësues të lartë policorë të shteteve të Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë.

Konferenca SWIRPO është organizuar nga Organizata e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe Policia Nacionale e Kolumbisë e cila është mbajtur në Bogota të Kolumbisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe delegacioni i tij në këtë vizitë historike është pritur me nderime shtetërore nga Policia Nacionale e Kolumbisë.

Drejtori Hoxha gjatë pjesëmarrjes së tij në këtë konferencë, ka mbajtur një fjalim para pjesëmarrësve, duke shpalosur të arriturat e Policisë së Kosovës në fushën e rendit dhe ligjit, me theks të veçantë në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Gjatë kësaj vizite stafi menaxherial i PK-së, së bashku me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Kolumbi, janë pritur në një takim të veçantë pune nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë Nacionale të Kolumbisë, gjeneral brigade Carlos Fernando Triana me bashkëpunëtorët e tij.

Në takim u diskutua për mundësitë e formalizimit të iniciativave të reja dhe mundësive të bashkëpunimit në fushat e ndryshme të policimit, luftës ndaj krimit të organizuar, narkotikëve dhe të sigurisë së përgjithshme në mes të Policisë së Kosovës si dhe Policisë së Kolumbisë.

Ndër të tjera, drejtori Hoxha ka mbajtur një fjalim rasti para nivelit strategjik të gjeneralëve dhe komandantëve të Policisë Nacionale të Kolumbisë, duke i njoftuar për punën dhe angazhimin e Policisë së Kosovës, si dhe i ka bërë një ftesë zyrtare drejtorit të Policisë Nacionale të Kolumbisë për vizitë në Kosovë, i cili e ka pritur me kënaqësi.

Drejtori i Përgjithshëm kolonel Gazmend Hoxha me delegacionin e tij ka takuar edhe drejtorin e Akademisë së Nënoficerëve edhe Oficerëve të Policisë Nacionale të Kolumbisë, ku është pritur nga drejtori i kësaj akademie, me ç’rast është prezantuar puna dhe të arriturat e kësaj akademie.

Pas vizitës në akademi drejtori Hoxha ka vizituar radion e Policisë Nacionale të Kolumbisë, ku edhe ka dhënë një intervistë në lidhje me të arriturat e punës së Policisë së Kosovës, në fushën e zbatimit të ligjit dhe ka dhënë mesazhe motivuese për punën e policëve të Policisë së Kolumbisë.

Vizita zyrtare ka përfunduar me takimin e realizuar në Ambasadën e Republikës së Kosovës, ku është pritur ngrohtësisht nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Kolumbi, z. Artan Duraku.