Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, i ka adresuar edhe njëherë masat e paralajmëruara të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
“Ne absolutisht e kemi thënë, paralajmërimet e mëhershme për një pako të masave natyrisht që nuk përbëjnë lajm të mirë për Kosovën. Ju e dini që ne që disa vite jemi pjesë a marrëveshjes së stabilizim-asocimit dhe Kosova është pjesë e të gjitha grupeve punuese për të përafruar qëndrimet me Bashkimin Evropian dhe jo vetëm”, ka thënë Deliu-Kodra për Info Magazine.
Sipas Deliu-Kodrës, qeveria e Kosovës duhet t’i trajtojë me seriozitet këto masa të cilat nuk janë aspak të mira për Kosovën.
“Ne jemi edhe përfitues të shumë mjeteve financiare, granteve të paranëtarësimit të BE-së në raport me vendet të cilat synojnë hyrjen në Bashkimin Evropian, dhe natyrisht do mungesë, çdo abstenim i Kosovës, çdo rast ku Kosova nuk është pjesëmarrëse e ku i mohohet pjesëmarrja në forume të tilla nuk përbën lajm të mirë për Kosovën”.
“Konsideroj që ne duhet të jemi të vëmendshëm për këto pasoja, dhe qeveria duhet të ketë vëmendje në raport jo vetëm me thirrjet, sepse tash kemi edhe veprime konkrete, kemi raste ku ne nuk jemi më pjesë e forumeve të ekipeve ose nënkomiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim-asocimit dhe forumeve të tjera, dhe konsideroj që qeveria e Republikës së Kosovës, kryeministri duhet ta trajtojnë me prioritet këtë çështje sepse çdo izolim i vendit nuk u shërben interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.