Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Denigrime, shantazhe, drogë e pr*stitucion me vajza latine në grupe ‘ferri’ në Telegram, Antikrimi Kibernetik: Shpejt do kemi arrestime!

Për krimet online, së shpejti do të ketë arrestime, thotë Shefi i Antikrimit Kibernetik në Policinë e Tiranës. Për report TV, Klodian Bilushi, tregon se janë siguruar prova, fakte dhe denoncime, që në bashkëpunim me Prokurorinë, do të çojnë në kapjen e autorëve të cilët veprojnë përmes të ashtuaquajtura grupet e “Ferrit”, ku veç të tjerash ofrohet seks me para, dhe bëhet tregti droge

Pas vëzhgimit të pak ditëve më parë nga Report TV në grupin “Shqipe 87 meme” në Telegram, ku u zbulua publikimi i fotove intime, me qellim denigrimin dhe shantazhin e vajzave, nga një tjetër vëzhgim, të tjera krime online kryhen në këto grupe me mijëra anëtarë. Ky përdorues i Telegram, na tregon se ka njohur edhe vajza nga Amerika Latine, që i i kanë ofruar seks në këmbim të parave. Jo vetëm marrëdhënie intime, por edhe drogë

“I kam parë që ka, është problematik sepse lloj lloj pisllëqesh ndodhin aty, futesh shesin edhe drogë, prostitucion po, ka dhe të Amerikës latine, duhet të ketë një kontroll, një lloj censure”

“Duhet ta bllokojnë, është shqetësues për vajzat më shumë”.“Duhet të hiqet aplikacioni, ka evoluar koha po, por që ka kaluar në ekstrem, kjo është shumë e turpshme”.

Të ashtuquajtura “grupet e ferrit”, kanë rënë edhe në rrjetën e Policisë së Shtetit. Pas monitorimeve të vazhdueshme online nga krimi kibernetik, por dhe nga denoncimet e shumta, shumë shpejt do të ketë arrestime.

“Jemi në dijeni të disa grupeve, të cilat janë evidentuar nga ana jonë gjatë monitorimeve online, por që kemi pasur kallëzime edhe nga qytetarë të ndryshëm. Kanë qenë më shumë vajza, por ka edhe djem që kanë denoncuar për gjërat e tyre personale që mund t’i kenë dalë në këto grupe. Jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës dhe kemi nisur procedime proaktive për këto grupe dhe besojmë që shumë shpejt do të kemi rezultate pozitive”, tha Klodian Bilushi, shef i sektorit të krimit kibernetik.

Shefi i Sektorit të Krimit Kibernetik pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Klodian Bilushi këshillon qytetarët të mos bëhen pjesë e këtyre grupeve dhe të mos klikojnë linqet që shpërndahen aty.

“Te linqet e këtyre grupeve nuk duhet të klikoni dhe nuk duhet të bëheni pjesë e këtyre grupe, nëse bëhesh pjesë e këtij grupe që ka pornografi edhe me të mitur, quhet moskallëzim krimi nëse e sheh këtë krim dhe nuk e raporton në organet ligjzbatuese”, tha Bilushi.

Report TV denoncoi këtë fenomen shqetësues si dhe kontaktoi me një nga vajzat e denigruara në grupin “Shqipe87 MEME”, e cila pasi u njoftua për publikimin e fotove të saj, ndoqi rrugën ligjore duke bërë kallëzim.