Rasti i vrasjes së Liridona Ademajt, pak javë më parë ka nxitur shumë reagime. Pikërisht se kjo vrasje dyshohet ka ndodhur me inicimin e bashkëshortit të saj, Naim Murseli, pasi ky i fundit ka pranuar se ka paguar dikë tjetër që ta vriste Liridonën.
Aktualisht, Naim Murseli si inicues dhe Granit Plava, që mendohet të jetë personi që ka vrarë Liridonën, bashkë me Kushtrim Kokallën dhe Tomë Dodaj, ndodhen në paraburgim.
Nga qytetarë të shumtë e njerëz të politikës është kërkuar një dënim maksimal.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ditë më parë ka deklaruar se do të votonte rikthimin e dënimit me vdekje. Dugolli është shprehur i vetëdijshëm se Kosova aspiron integrimin në Bashkimin Evropian (BE), vende ku nuk aplikohet dënimi me vdekje. Por ai tha se duhet të shikohet mundësia sesi të frenohen këto krime.
“U vra një grua mizorisht, nënë e dy fëmijëve, pa asnjë faj, pa asnjë të drejtë të dikujt që të privojë jetën e një gruaje. Unë mendoj që dënimet për vepra të tilla të rënda kriminale janë të buta dhe insistoj që ashpërsimi i dënimeve të jetë në fokus të ndryshimeve legjislative që do të duhej të ndodhnin në Republikën e Kosovës. Shto këtu që edhe në këtë plan legjislativ me këto parashikimet legjislative për dënimet që janë, drejtësia s’i shqipton thuajse asnjëherë ato maksimalet. Unë kam propozuar, edhe pse është e vështirë të realizohet për shkak të problematikës që ka kjo iniciativë, kthimin e dënimit me vdekje, për shkak të përafrimit të legjislacionit tonë me BE-së. Megjithatë, nëse do të vijë në shprehje një iniciativë e tillë, unë si deputet do ta votoja rikthimin e dënimit me vdekje për ata që vërtetohet se kryejnë këso lloj veprash të rënda. Jemi dëshmitarë se në shumicën e vendeve ka ekzistuar dënimi me vdekje si masë për të parandaluar veprime të tilla të rënda. Unë e kuptoj se tani jemi në këto momentet kur Kosova po bën përpjekje që të ecë përpara drejt përmbushjes së atyre kushteve për t’u bërë pjesë e BE-së, mirëpo edhe diçka e di se, këto veprat e rënda kriminale do të duhej që disi t’i frenonim dhe të ishim shumë më rigoroz sa i përket dënimit”, ka thënë ai.
Burjani: Nuk mund të ketë dënim me vdekje në shtetet që kanë synim anëtarësim në BE
Lidhur me këtë çështje ka folur edhe profesori i juridikut, Blerim Burjani. Ai thotë se, Kosova është vend demokratik, dënimi me vdekje më nuk ka vend në BE.
Blerim Burjani.
“Shtetet që dëshirojnë të jenë anëtar i BE nuk mund të bëhen pjesë të BE-së me këtë ligj. Nuk mund të ketë dënim me vdekje në shtetet që kanë synim anëtarësim në BE, pra gjasa nuk ka fare për të vendos një mase ndëshkimi”, vlerëson ai për ‘Bota sot’.
Profesor Burjani thotë se kërkesat e tilla janë eufori e ҫastit.
“Por në BE më s’do të ketë dënim të kësaj natyre, krimet e rënda ndëshkohen me dënim të përhershëm”, thekson Burjani.
Tërnava: Vrasjet e tanishme tani mund të jenë si pasojë e qeverisjeve të pasluftës
Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se, në këto rrethana të tanishme ku po ndodhin vrasje të shumta në territorin e Kosovës, qartë po shihet se diçka nuk po funksionon në sistemet institucionale e sidomos atë të drejtësisë, sikur që janë: Gjyqësia, prokuroria, policia.
“Nëse analizohen traditat kombëtare që në të kaluarën ishin, këto vrasje të tanishme, nuk ju përputhen atyre traditave të së kaluarave. Vrasjet e tanishme tani mund të jenë si pasojë e qeverisjeve të pasluftës, që në poste të rëndësishme të institucioneve të lartcekura, u emëruan njerëz jo me shkollime meritore adekuate, por me diploma të dyshimta të kryera jo me merita, si dhe u emëruan njerëz me të njohshëm të lidhjeve familjare që e kishin qëllimin e tyre të qartë, dhe nga ajo kohë e deri më tani ata njerëz që kanë punuar me direktiva të “fortëve” që e kishin qëllimin për pasurimin, jo veç të shefave të tyre por edhe pasurimin e tyre, dhe tani ata kanë lëshuar rrënjë në ato institucione që kaq shumë vite që punojnë aty, prandaj edhe për raste të kryera si vepra kriminale të rënda ka ndodhur që shumë nga to janë vjetërsuar, apo kryesve të atyre veprave u janë shqiptuar dënime të lehta qesharake. Të cilat dënime as që i kanë mbajtur, prandaj tani në këto kohëra nuk është çudi që po ballafaqohemi tani me këto vrasje makabre”, vlerëson Tërnava.
Hajrullah Tërnava
Ai ka komentuar deklaratën e deputetit Enver Dugolli lidhur me rikthimin e ligjit për dënimin me vdekje.
“Deputeti Enver Dugolli, paska deklaruar se do ta votonte rikthimin e dënimit me vdekje. Një rikthim i dënimit me vdekje do të ishte jo dënim i kohës, sepse askush nga shtetet e Evropës në ligjet e tyre nuk i kanë ato dënime me vdekje, dënimi më i rëndë i këtyre kohërave është dënimi i përjetshëm për vepra të rënda të kryera në shtetet evropiane, prandaj nëse ne i takojmë Evropës, atëherë edhe ne nuk duhet të kemi dallime për këto vepra kriminale”, thotë ai.
Tërnava: Të jemi në rrjedha që na e imponon koha
Tërnava thotë se, tani ne e kemi edhe shembullin e Gjyqit Special në Hagë, e që llogaritet si gjyq i yni, që nuk i parasheh dënimet me vdekje, por dënimi më i rëndë është ai i përjetshmi, prandaj edhe ne duhet të jemi në ato korniza të kësaj kohe dhe të jemi në rrjedha që na e imponon koha.
“Pretendimet e shtetit tonë janë që Kosova të anëtarësohet në mesin e shteteve të BE, prandaj në këtë pikëpamje të dënimeve nuk duhet të kemi dallime me shtetet evropiane. Më e mira do të ishte që të analizohet një mundësi se në institucionet e drejtësisë duke u ballafaquar me këtë përvojën e pasluftës, do të ishte që gjyqësori si dhe prokuroria ta kenë një organ mbikqyrjes të përbashkët, dhe nëse vlerësimet do të ishin se dënimet për disa kryes të veprave kriminale ishin të lehta dhe jo në përputhshmëri me ligjet, në baze të subjektivizmit apo të korrupsionit-mitos, organi i përbashkët mbikqyrjes do ta analizonte tërë ato procese të gjykimit, dhe nëse konstaton se aty ka pasur subjektivizëm apo lloj kompromisi sipas përvojave mitos-korrupsion etj, ndaj atyre gjykatësve apo prokurorëve të ndërmerren masa rigoroze që ata s’do të mundeshin të punonin më në ato poste të atyre institucioneve të rëndësishëm. Sikur të ishin këto institucione të lartcekura, në përputhshmëri me ligjet e Kosovës, dhe t’i zbatojshin ligjet në përpikëshmëri nëpër gjyqet e Kosovës, Kosova do të ishte shembull i regjionit, që i zbaton ligjet e saj të përditshme në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës”, vlerëson Tërnava për ‘Bota sot’.