Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykimin ndaj Isuf Zogajt, lidhur me vrasjen e 42-vjeçarit, Avni Basha, në Malishevë.
Isuf Zogaj bëhet e ditur nga njoftimi se është dënuar me 19 vjet burg, për veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues kundër të pandehurit I.Z., për veprën penale, “Vrasja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas shqyrtimit fillestarë, ku i pandehuri e ka pranuar fajësinë sipas akuzës, kryetari i trupit gjykues Ilir Rashkaj, të akuzuarin I.Z., e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej nëntëmbëdhjetë (19) vjet, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 20 shtator 2023.
I pandehuri I.Z., akuzohet se “Me datë 20 shtator 2023, rreth orës 07:15 minuta, në fshatin Bellanicë, Komuna Malishevës, në parkingun e marketit “M…”, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. B. nga fshati Vraniq, Komuna Suharekës, në atë mënyrë që me të arritur në vendin e cekur më lartë, tani i ndjeri me veturën Fiat, ngjyrë e bardhë, i cili ishte duke shkuar në punë, ndërsa i pandehuri ndodhej në lokal së bashku me dëshmitarin B. E., dhe me të vërejtur se kishte arritur në parking tani i ndjeri A.B., i pandehuri ngritët nga tavolina, del jashtë dhe afrohet tek automjeti i të ndjerit, hap derën e automjetit dhe menjëherë me armën e llojit SIG SAUER- P320, shtënë pesë herë në kokë të tani të ndjerit, viktima bie përtokë, i pandehuri vazhdon duke shtënë edhe dy here prapë në drejtim të trupit të tij, përderisa trupi ishte i shtrirë për tokë, e ku nga plagët e mara i ndjeri ndërro jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i pandehuri largohet me veturën e tij nga vendi i ngjarjes dhe lajmërohet në polici.”
Konfiskohet një pistoletë e tipit SIG SAUER – P320, 57 fishekë të kalibrit 9×19 mm, një karikator me 7 fishekë të kalibrit 9×19 mm, të cilën armë ditën kritike e kishte përdorur i pandehuri, si objekte të kryerjes së veprës penale. Pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, arma e konfiskuar do të shkatërrohet në rast se e njëjta nuk evidentohet se është përdorur në ndonjë rast tjetër të hapur, nga Libri i Rasteve të Hapura.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar./Sinjali