Disa deputetë të opozitës kanë thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit më 04 shtator, për “dështimet e Qeverisë” për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ka publikuar kërkesën, teksa ka thënë se Kuvendi duhet ta ndërpres pushimin e “t’i kthehet punës”.
“Shkollat janë të papërgatitura, nxënësit nuk kanë tekste shkollore e materiale mësimore, ndërsa familjet e prindrit janë të braktisur. Mbi 200 mijë nxënësve nuk do t’iu ofrohen në shkolla tekstet falas, ashtu siç e përcakton ligji dhe ashtu siç ka ndodhur për më shumë së një dekadë. Pasojat e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie, po i vuajnë mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës.
Gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente. Prandaj, ne, deputetët e opozitës – anëtarë të Komisionit për Arsim, të mbështetur nga deputetët e tjerë, kemi iniciuar thirrjen e Seancës së Jashtëzakonshme të Kuvendit e cila do të mbahet të hënën, më 04 shtator”, ka shkruar ajo.