Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Deputetët e Kosovës pjesë e takimeve me zyrtarë të BE-së për Procesin e Berlinit

 
   

Deputetët e Komisionit për Integrime, Blerta Deliu-Kodra, Agon Batusha dhe Fjolla Ujkani, kanë marrë pjesë në takime me përfaqësues e zyrtarë të BE-së, të angazhuar në kuadër të Procesit të Berlinit, kryeqytetin gjerman.

Në një postim në Facebook, deputetja Ujkani deklaroi se aty të pranishëm ishin edhe komisionet për çështje të integrimeve evropiane nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht, dhe është pjesëmarrëse aktive në të gjitha proceset që dalin nga Procesi i Berlinit, të gjitha këto në funksion të ofrimit të vendit tonë më afër BE-së, më shpejtë e më sigurt”, ka thënë Ujkani.

Kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë në Procesin e Berlinit që mbahet javën e ardhshme, më 14 dhe 15 tetor në Gjermani.

Emisari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, kishte thënë se Kosova duhet t’i heq masat e vendosura ndaj Serbisë, nëse dëshiron që të ketë ftesë për në CEFTA dhe në Procesin e Berlinit.

Ministria e Punëve të Brendshme të hënën e kësaj jave kishte lëshuar vendim që pika kufitare në Merdarë të largojë masat për mallrat serbe.

Pas kësaj, Kosova sot u përfaqësua nga ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari në CEFTA, ku Komiteti i Përbashkët i kësaj nisme miratoi 9 marrëveshje novatore të dizajnuara për të transformuar bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik.