Parlamenti i Britanisë së Madhe ka reaguar ndaj kërcënimeve që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq i ka bërë deputetes së këtij parlamenti, Alicia Kearns, duke thënë se kërcënimet që kanë për qëllim frikësimin e deputetëve janë të papranueshme.
Ai madje ka kërkuar që të thirret ambasadori serb për të shpjeguar qëllimin e asaj deklarate.
Deputeti britanik Anthony Mangnall gjatë një debati në Parlamentin e Britanisë së Madhe, lexoi deklaratën e presidentit serb, Vuçiq, duke thënë se jo është deklaratë e papranueshme e një kreu të shtetit.
“U alarmova thellësisht kur pashë se e nderuara deputete për Rutland-in, Kryetarja e Komisionit të Përzgjedhur të Punëve të Jashtme, u kërcënua nga presidenti i Serbisë, i cili në përgjigje të fjalimit të saj, tha se tashmë po bëjmë një hetim kundër jush për të parë se çfarë po bëni, për të parë kush ju paguan dhe për të parë pse po e vendosni Republikën e Serbisë në një pozitë të tillë. Nëse qeveria e Britanisë së Madhe nuk është e gatshme të reagojë, nuk është problem. Ne do të detyrohemi të reagojmë. Kjo është një deklaratë e papranueshme e një kreu shteti. Dhe nuk është thjesht një kërcënim për deputeten e Rutland-it, por një taktikë frikësuese për të gjithë deputetët. A mund të më qetësojë kryetari, ju lutem, se asnjë presion i ushtruar jashtë këtij vendi, veçanërisht nga qeveritë e huaja, nuk do të rrezikojë kurrë sigurinë ose privatësinë e deputetëve dhe se fuqia e plotë e Parlamentit, do të përdoret për të parandaluar taktikat e bullizmit dhe për të siguruar që deputetët mund të thonë të vërtetën. A nuk mendon edhe kryetari se ky është një moment në të cilin duhet thirrur ambasadori serb për të shpjeguar këtë qëndrim dhe deklaratë”, tha ai.
Ati iu ka përgjigjur kryetari i dhomës në parlamentin britanik, Lindsay Hoyle, duke thënë se është parim themelor kushtetues që deputetët të mund të flasin lirshëm në seancat e kësaj Dhoma.
“Kërcënimet ndaj deputetëve që kryejnë punën e tyre janë krejtësisht të papranueshme, kushdo që i bën ato. Dhe përtej kësaj, i kujtoj deputetit të nderuar se çështjet e sigurisë operacionale nuk i diskutojmë publikisht dhe nuk duam që ato të shkojnë më tej. Ajo që unë do të thosha është sigurisht që ne e marrim seriozisht, dhe sigurisht që kushdo qoftë, çfarëdo pozite, qoftë ai një mbështetës, qoftë Komiteti i Përzgjedhur Gjerman, duhet të jetë në gjendje të flasë hapur dhe lirshëm pa frikë dhe rikujtoj shtetet e huaja se ata nuk kanë të drejtë të kërcënojnë askënd nga kjo Dhomë dhe jam i sigurte se kërkesa për të thirrur ambasadorin është dëgjuar, kjo nuk më përket mua siç e di, por unë sigurisht që kam ngritur zërin që kjo të ndodhë”, tha ai./kp