Kosova dështoi të futet në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave që u mbajt më 17 maj.
Mirëpo nuk përjashtohet mundësia që Kosova së shpejti të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, nëse përmbushen kërkesat e miqve ndërkombëtarë.
Kështu bënë të ditur deputeti i Bundestagut gjerman, Thomas Hacker.
Hacker thotë se javët e ardhshme do të jenë shumë të rëndësishme për Kosovën, andaj i ka bërë thirrje qeverisë Kurti që t’i përmbushë obligimet e kërkuara për Asociacionin.
“Ne u munduam shumë ta fusnim në agjendë, dhe të siguronim sa më shumë vende të votojnë në favor, por për momentin kjo çështje është e lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe.
Por ne ende po punojmë në këtë proces, që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Evropës. Ne mendojmë që Kosova i përket këtij Këshilli dhe duhet të bëhet anëtare sa më shpejtë. Shpresat janë të mira, por mund të duhen edhe një apo dy javë më shumë kohë. Edhe një herë, votimi është shtyrë, por Kosova shumë shpejt mund të bëhet pjesë e Këshillit. Mendoj që tani qeveria Kurti duhet të bëjë çmos për të përmbushur obligimet e tyre”, tha Thomas Hacker – deputet në Bundestagun gjerman.
Politikani gjerman nga Partia Demokratike e Lirë, është shprehur kritik dhe ndaj Serbisë e cila ka lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sipas gjermanit, kjo përbën shkelje serioze të Marrëveshjes së Ohrit.
“Marrëveshja e Ohrit thotë që asnjëra palë nuk duhet të pengojë tjetrën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, dhe tash kjo është diçka që po bëhet në kundërshtim me këtë marrëveshje, dhe unë, e shumë veta tjerë nga Parlamenti i Gjermanisë, gjatë javëve e muajve të fundit kemi kritikuar Serbinë për këto veprime, dhe vazhdojmë ta vëzhgojmë Serbinë. Në anën tjetër ne kemi parë edhe Kosovën jo gjithmonë të gatshme për t’i reduktuar tensionet në pjesën veriore. Si shembull, për çështjen e dinarit pati një periudhe të shkurtër njoftimi dhe kjo gjë mund të evitohej”, u shpreh Hacker.
Më 16 maj Kosova ishte zotuar se do të hartojë një draft-statut për Asociacionin dhe të njëjtin do ta dërgojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit, por kjo nuk i bindi shtete anëtare të KiE-së që ta përfshijnë Kosovën në agjendën e Komitetit të Ministrave.