Deputeti gjerman, Thomas Hacker ka reaguar pas lajmeve se çështja e anëtarësimit të Kosovës nuk është në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
Hacker në një postim në platformën X shkruan se ndërlidhja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të ishte gabim i madh.
“Lidhja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe do të ishte gabim i rëndë. Përsëri, duket se disa vende perëndimore nuk kanë mësuar nga gabimet e së kaluarës”, shkruan ai.
Ndryshe, Gjermania dhe Franca disa javë para mbajtjes së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të KiE-së kanë kërkuar lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ndërkaq, zyrtarja për informim në Këshillin e Evropës, Estelle Steiner, ka konfirmuar se aplikimi i Kosovës aktualisht nuk figuron në diskutimet e radhës të këtij komiteti.
“Kosova tani nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave”, ka thënë Steiner.
Sipas agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të Organizatës.
Linking the membership of #Kosovo to the Council of Europe with the implementation of the Association of Serb Municipalities would be a grave mistake. Again, it seems that some Western countries didn’t learn from past mistakes.