Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Deputeti i Bundestagut për dialogun Kosovë-Serbi: Do të mbajmë qasje të balancuar, marrëveshjet të përmbushen

Zëdhënësi i politikës së jashtme të grupit parlamentar të AfD-së në Bundestagun gjerman dhe deputeti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Petr Bystron ka folur për situatën rreth dialogut të Kosovës dhe Serbisë, dhe qasjes së partisë së tij karshi dy vendeve.

Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Kosovën, Bystron ka theksuar se AfD-ja do të mbajë një qëndrim më të balancuar, i cili do të siguronte përmbushjen e të gjitha obligimeve ndërkombëtare.

“Qëllimi ynë do të ishte të inkurajojmë stabilitetin dhe paqen në rajon dhe kjo mund të nënkuptojë një pozicion më kritik ndaj Kosovës”, shton ai.

Sa i përket Beogradit, ai thotë se marrëdhëniet me Serbinë duhet të vendosen mbi një bazë solide që reflekton interesat e përbashkëta.

Në të njëjtën kohë, kjo mund të nënkuptojë edhe rritje të bashkëpunimit ekonomik dhe diplomatik, si dhe mbështetje për Serbinë në dialogun me Kosovën.

I pyetur se si do ta vlerësonte politikën aktuale ndaj Serbisë dhe Kosovës, e cila udhëhiqet kryesisht nga Partia e Gjelbër, përkatësisht ministrja Annalena Baerbock, Bystron vuri në dukje njëanshmërinë dhe fanatizmin ideologjik.

“Politika e të Gjelbërve është e njëanshme, e bazuar në ideologji. Qëndrimi i tyre injoroi realitetin kompleks në rajon dhe nuk mori parasysh interesat afatgjata të Gjermanisë. Nevojitet një pozicionim i ri. Ne do të kërkonim një konsideratë thelbësisht të re të politikës sonë ndaj Serbisë dhe Kosovës, bazuar në drejtësinë, realizmin dhe mbrojtjen e interesave tona kombëtare”, nënvizoi Bystron për Kosovo-Online.

I pyetur nëse Gjermania është e njëanshme, ai është përgjigjur pozitivisht, duke theksuar se politika gjermane ka treguar njëanshmëri që duhet korrigjuar.