Skeptik se do të realizohet me sukses udhëzimi administrativ për qeset e plastikës shprehet, anëtari i Komisionit për Mjedis, njëherit deputet i PDK-së, Isak Shabani.
Ai tha se për t’u zbatuar ky udhëzim administrativ duhet të rritet numri i inspektorëve.
“Nga ajo që shihet se nuk po zbatohet plotësisht ligji, një ndër masat duhet rritur efikasitetin e inspektorëve por edhe nëse ka nevojë të rritet numri i inspektorëve”, tha ai.
Deputeti Shabani tha se Udhëzimi Administrativ që ndalon disa qese të plastikës nuk është duke u zbatuar plotësisht.
“Sa i përket ligjit këtë e ka miratuar Kuvendi. Implementues janë Ministrit përkatëse. Ajo çka shihet nga tereni, kjo nuk është duke u zbatuar në plotëni”, u shpreh ai.
Deputeti Shabani fajësoi Inspektoratin se nuk po merr masa ndaj qytetarëve që bizneset po shesin qese me llogo.
“Fajtor për shitjen e qeseve me llogo janë inspektoratet që nuk po marrin masa”, deklaroi ai.
Për moszbatim të këtij udhëzimi administrativ janë ankuar edhe qytetarët.
Për të njëjtin para disa dite ka reaguar edhe ish-drejtori i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi.
Ai përmes një postimi ka publikuar një video duke e kritikuar një market se si shet qese me llogo.
“Shumica e marketeve nuk e respektojnë Udhëzimin për qeset e plastikës. Vazhdojnë me i shitë qeset me llogot e biznesit, tash na veç u’a paguajmë reklamën”, ka shkruar Demi në Facebook.