Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, nuk e beson që Kosova e ka kusht që ta formojë Asociacionin për të hyrë në Këshillin e Evropës.
Beqa tha se a ka qenë a jo kusht do të shihet më 16 maj, datë kjo kur do të takohen ministrat në KiE.
“Unë e konsideroj se nuk është kusht. Kjo mbetet me pa, kanë mbetur shumë pak ditë deri te takimi i ministrave që do të mbahet më 16 maj. Por, unë jam ithtar i asaj me besu, sepse këta besoj që tani nuk janë në fushatë elektorale edhe nuk kanë arsye me i mashtru prapë qytetarët. Boll e kanë mashtruar për me ardhë në pushtet”, tha ai në emisionin “Ditari.
Deputeti opozitar thotë se Qeveria e Kosovës ka mungesë vizioni dhe agjende për të negociuar me Serbinë.
“Unë mendoj që obligimet e marrëveshjes për tu zbatuar janë të domosdoshme. Marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë në tavolinë suedeze që me shku me marr çka dush e me lënë çka të duash, por janë obligative për të dyja palët edhe për Kosovën edhe për Serbinë. Kjo qeveri ka mungesë vizioni dhe ka mungesë të agjendës për të negociuar me Serbinë edhe përmes ndërmjetësueseve”, shtoi ai.
Ndërkohë, lidhur me dialogun me palën Serbe, Beqa tha se vite më parë ka qenë në një nivel tjetër.
“Dy-tri vite më parë kemi pasur nivel tjetër të dialogut, konkretisht para se të vije ky kryeministër në pushtet… Kurti me pasë idenë se çfarë po bën, nuk i ndërron qëndrimet. Kurti nuk është i sinqertë”, deklaroi ai.
Kosova pas marrjes së dritës së gjelbër në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, më 16 prill, vendimin përfundimtar që të hyjë pritet ta sjellë Komiteti i Ministrave i kësaj organizate, më 16 maj