Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Haliti deklaroi se vjeshta e këtij viti mund të jetë vit zgjedhor në Republikën e Kosovës, shkruan teve1.info
Pavarësisht që Haliti tha se dëshira e tij është që në Kosovë për herë të parë të përmbyllet një cikël zgjedhor, pra një mandat i plotë, sipas tij, nëse krijohen kushte zgjedhjet mund të mbahen edhe në vjeshtën e 2024-ës.
“Dëshira ime ishte që për herë të parë Kosova ta përmbyllë një cikël zgjedhor, kështu një mandat të plotë dhe sipas kalendarit i bie që në pranverën e vitit të ardhshëm të kemi zgjedhje. Mirëpo nëse krijohen kushte që të shkojmë edhe në vjeshtën e këtij viti, po besoj që pak a shumë jemi në orarin e rregullt sepse shpallja e zgjedhjeve, mbajtja e tyre, derisa të fillon punën qeveria e re thuajse jemi në kalendarin e rregullt zgjedhor”, tha ai.
Derisa për idetë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend dhe deklaratave mbi këtë çështje të kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, tha se ndoshta me këtë po ua plotësojnë “dëshirën opozitës”.
“Ndoshta po e plotësojmë një dëshirë të opozitës për shkak se çdo muaj po kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Kështu që nuk po e qojmë ndoshta mandatin deri në marsin e vitit 2025 edhe ndoshta i organizojmë në vjeshtën e këtij viti”, shtoi Haliti.