Deputeti i partisë në pushtet, Arbër Rexhaj, thotë se deklarata e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano se duhet pritur përfundimin e procesit gjyqësor për rastin në Bansjkë në mënyrë që unioni të veprojë ndaj Serbisë, tregon ledhatimin e BE-s ndaj Serbisë.
Rexhaj tha se kjo është një padrejtësi e radhës ndaj Kosovës dhe dëshmi që shteti ynë dhe Serbia nuk trajtohen njëjtë.
“Mendoj që përnjëmend Stano po e thotë një gjë me gojën e vet: ne po e ledhatojmë Serbinë derisa po e ndëshkojmë Kosovën. Nga ajo çfarë më dukje të parë duket që konkludon Stano është që ne po e ledhatojmë Serbinë dhe në një far forme duke pasur parasysh që aktakuza u ngrit me një vit vonesë, duke pasur parasysh faktin që ministri i punëve të brendshme, drejtori i policisë kanë organizuar një konferencë për media ku kanë paraqitur gjithë arsenalin e armatimit…duke pas parasysh qe sulmin në Banjskë si veprim i aneksimit të një pjese të veriut e kemi argumentuar me 5 mijë fakte, kjo më sa duket si lë përshtypje Stanos…Mendoj që është një lloj dyfytyrësie e tij karshi Kosovës dhe kjo s’është e mirë”, tha Rexhaj.
Sipas tij, institucionet e vendit do të punojnë në rregullimin e kësaj padrejtësie ndaj Kosovës.
“Ajo që do duhej të bënte BE-ja menjëherë pas sulmit do të ishte që minimumi t’i hiqeshin masat Kosovës dhe t’i vendoseshin Serbisë…Kosova dhe Serbia s’po trajtohen njëjtë, institucionet tona po punojnë që kjo padrejtësi të rregullohet”., tha ai.