Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq patën një përplasje në Samitin e investimeve në Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga BERZH-i në Londër.
Në samitin ku po marrin pjesë 6 liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përplasja lindi natyrshëm kur Bërnabiq tha se Kosovën e shohin “si pjesë të Serbisë”.
Kurti më pas ia kujtoi se ajo quhet Republika e Kosovës dhe se njihet anë e mbanë botës si shtet.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti nga LVV, Vendenis Lahu.
Ai thotë se Bërnabiq mori përgjigjjen e duhur nga kryeministri Kurti.
Sipas tij, është e rëndësishme që në panele ndërkombëtare, t’i bëhet e qartë se Kosova pjesë e Serbisë është vetëm në përralla.
“Padyshim qe presidentja e Serbisë mori përgjigjen që meritonte. Tentimi i saj për shtrembërim të emrit të shtetit tonë është në funksion të fuqizimit të narracionit serb për Kosovën si pjesë e saj, dhe në momente të caktuar është e rëndësishme që në panele ndërkombëtare, t’i bëhet e qartë se Kosova pjesë e Serbisë është vetëm në përrallat që ata mund të tregojnë por jo në realitet”, u shpreh Lahu për “Bota sot”.
Kujtojmë që kryeministri gjatë këtij samiti tha se po të fliste si Bërnabiq, do ta përmendte Vojvodinën, Sanxhakun, Luginën e Preshevës…