Deputetja britanike, Alicia Kearns thotë se ka pranuar kërcënime, pas deklaratës së saj, ku tregoi që Kisha Ortodokse Serbe po furnizohet me armatim nga Serbia, përmes auto-ambulancave.
Në një intervistë për Radio Kosovën ajo thotë se nuk do të hesht nga kërcënimet që i ka bërë presidenti serb Aleksandër Vuçiq për nisjen e hetimeve ndaj saj.
“Mendoj që kjo tregon shumë, kur president i një vendi ndjen nevojën për të kërcënuar një politikane të huaj, për ndarjen e informacioneve të shërbimeve të inteligjencës së atij vendi, i cili i ka ndarë ato informata me ushtrinë e tyre. Nuk do të hesht nga dikush që përpiqet të më frikësojë. Dhe mendoj se thotë gjithçka që ai ndjen nevojën për të kërcënuar politikanët e huaj.
Rrihen mes vete të fejuarit në stacionin e autobusëve në Prishtinë, shoqërohen në polici
Kam marrë kërcënime të tjera përtej komenteve të presidentit Vuçiq se ai do të fillojë hetime kundër meje. Më duket interesante që ai më ka akuzuar mua se unë kam marrë të holla nga i ashtuquajturi lobi mysliman apo shqiptarë, ashtu siç duket e quajnë edhe mbështetësit e tij. Unë nuk mendoj se ai është i vetëdijshëm se politikanët britanikë, nuk marrim para nga njerëzit, kjo nuk është mënyra se si sillemi ne. Përdorimi i gjuhës nga shumë mbështetës të tij, se unë jam lobiste myslimane, mendoj se tregon, që ata kanë urrejtje në zemrat e tyre, se ata përsëri duan të tërheqin më shumë ndarje etnike brenda Kosovës dhe në mbarë Ballkanin. Gjithçka që duam të bëjmë është të zvogëlojmë tensionet .Besoj se jam një nga politikanët e vetëm anembanë botës që ka pyetur se çfarë mund të bëhet më shumë për të mbështetur këto komunitete. Por nuk do të hesht nga dikush që mendon se mund të kërcënojë politikanë të tjerë” shprehet ajo.
Kearns i quan të nxituara politikat e SHBA-së dhe BE-së, për Kosovën , pas përshkallëzimit të situatës në veri të vendit.
“Nuk i mbështes veprimet e BE-së apo SHBA-së në javët e fundit. Siç thashë, ata janë disproporcionalë dhe nuk janë të ekuilibruar dhe për këtë arsye nuk janë në të mirë të paqes. Dhe sinqerisht, problemet rreth zgjedhjeve në veri të Kosovës shihen si ndërhyrje e Serbisë në zgjedhjet e brendshme të Kosovës. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk do të duhej të kishte thirrur serbët lokalë për bojkotim të zgjedhjeve. Jam e kënaqur që kryeministri Albin Kurti është zotuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri. Është e qartë për mua se ai është gjithashtu i hapur për të përmbushur të gjitha angazhimet e kërkuara prej tij nga BE. Ajo që na duhet tani është të sigurohemi që gjërat të shkojnë përpara pa ndërhyrjen e huaj, por BE dhe SHBA duhet të shohin me kujdes dhe të sigurohen se ato janë vërtet të ekuilibruara sepse kjo nuk është ajo që kam parë deri tani”, ka thënë Kearns.