Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhje nacionale, kurdo që caktohet që ato të mbahen.
Kështu, ka thënë deputetja e kësaj partie, Valentina Bunjaku-Rexhepi.
Madje, deklaron se LDK-ja ka qenë e gatshme edhe më herët për zgjedhje,
“Realisht LDK-ja ka qenë e gatshme për zgjedhje edhe në kohën kur Qeveria Kurti ka fituar mbi 50% të votave. Lidhja Demokratike e Kosovës gjithmonë është e gatshme për zgjedhje kurdo që planifikohen të mbahen ato”, është shprehur Bunjaku-Rexhepi.
Dhe, këtë e thotë për një arsye.
“Ne si deputetë dhe shumica prej nesh kanë besu që kjo është qeveria më e keqe e mundshme që nga paslufta. Dhe, tani kjo vetëm po vërtetohet që kjo qeveri ka krijuar depresion politik, psikik, ekonomik tek qytetarët tonë”, ka thënë deputetja Bunjaku-Rexhepi.
E, pyetur se a pret që në këtë vit të ketë zgjedhje të parakohshme, e njëjta ka pohuar se krejt kjo varet prej mazhorancës.
“Kjo varet prej mazhorancës sepse votat e mjaftueshme i kanë ata, ata janë duke udhëhequr me shtetin dhe duke keqmenaxhuar me shtetin, ndërsa LDK-ja është e gatshme për zgjedhje kurdo që planifikohen ato”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Ndryshe, kohëve të fundit janë shtuar zërat që mund të ketë zgjedhje të parakohshme në këtë vit.