Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar pasi u bënë publike shpenzimet gjashtëmujore të kryeministrit Albin Kurti.
Krasniqi e ka quajtur zhvatës Kurtin, teksa nuk sheh rezultate në diplomaci.
“Kryeministër zhvatës! Albin Kurti vet i 18-ti për gjashtë muaj paska shpenzuar mbi 120 mijë euro, për mëditje gjatë udhëtimeve zyrtare, telefon, akomodim, karburant për vetura, si dhe për bileta të udhëtimit e dreka. Ndërkohë, rezultatet në diplomaci janë zero”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Deputetja e LDK-së ka thënë se për këtë mandat nuk ka asnjë njohje e as një anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
“Asnjë njohje e re, asnjë anëtarësim dhe asnjë e mirë për vendin. Jam e bindur se gjendja në diplomaci do të ishte ndryshe, nëse këto para të ishin investuar për lobim”.
“Pastaj, mos të harrojmë edhe sanksionet nga BE-ja që e prekin shifrën e mbi 500 milionë euro, nëse ato vazhdojnë e nuk largohen, dëmi është i jashtëzakonshëm. Shihemi në Kuvend…”, ka shkruar tutje Krasniqi.