Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ka thënë se është arritur fundi i epokës të keqpërdorimit të energjisë elektrike gratis në veri të vendit.
Statovci, përmes një postimi në Facebook, ka treguar se “si ka ra konsumi i energjisë elektrike në veri, menjëherë pas marrëveshjes për faturimin në 4 komunat veriore pas 24 vitesh”.
“Pas një angazhimi dhe përkushtimi të madh të institucioneve të Kosovës, është arritur fundi i epokës të keqpërdorimit të energjisë elektrike gratis në veri të vendit”, ka shkruar Statovci.
Statovci ka postuar edhe një grafikon, ku sipas saj, mund të shihet ulja e konsumit në momentin e fillimit te faturimit, pra janar 2024, krahasuar me periudhën paraprake.
“Stabiliteti energjetik është krucial për zhvillim ekonomik, prurje të investitorëve seriozë dhe sidomos sektorin e prodhimit”, ka thënë Statovci.