Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka bërë të ditur se partia e saj ka dërguar propozimin për datën e zgjedhjeve të rregullta tek presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë një prononcimi për media, Fejza theksoi se data e zgjedhjeve nuk është thelbësore për Vetëvendosjen, pasi sipas saj rezultati i zgjedhjeve është tashmë i njohur.
“Ne e kemi dërguar normalisht propozimin tonë por vendimi përfundimtar i takon presidentes. Ne e kemi dërguar një propozim mirëpo ne mendojmë që cila do datë që vendoset është e pranueshme sepse edhe kur opozita kur insistonte me ngulm që të kishte zgjedhje ne u thamë që të shkojmë në zgjedhje por ata u zbrazen.
Prandaj në këtë linjë cila datë që të caktohet nga presidentja për neve është e pranueshme dhe e përshtatshme. Ky është një propozim që e kemi bërë tek presidentja arsyeja pse nuk po e konfirmojë nëse është dy shkurti a jo është për faktin se për neve vërtetë ne e kemi bërë obligim tonë si parti mirëpo presim që të përcaktohet data sepse besojmë që pavarësisht se cila është data rezultatet e zgjedhjeve dihet”, ka thënë ajo.