Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë se Kosovës nuk mund t’i pezullohen vizat vetëm pse e thotë një lider, në këtë rast presidenti Emanuel Macron.
Sipas saj, për të ndodhur kjo, duhet të kalohen disa procedura.
“Nuk mundem mu pezullu vizat vetëm pse e thotë një lider sepse ka procedura të pezullimit, Ato duhen me kalu në disa votime që të vijë deri të konfirmimi sepse është marrë vendimi me u pezullu. Por, në anën tjetër ne vazhdimisht kemi pas përgjigje në pyetjet se a ka mundësi me u bë suspendimi. Ato, tashmë janë lejuar dhe nuk ka mundësi me u pezullu. Nga 1 janari qytetarët tonë do të lëvizin lirshëm pasi vendimi nga Bashkimi Evropian është marrë para disa muajve”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj vendimi është marrë dhe ka kaluar në të gjitha vendet anëtare të BE-së.
“Tash një president qoftë keqkuptim ose jo, jep një deklaratë të tillë nuk do të thotë që ai ka fuqi me pezullu një proces të tërë i cili kalon nëpër të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Është një vendim që merret unanimisht ose në koordinim me shtetet e tjera, nuk mundet vetëm Franca ose presidenti i Francës me marr një vendim të tillë”, ka shtuar Kryeziu-Hyseni.
E, pyetur se a po përdor si “kërcënim” liberalizimin Macron në mënyrë që Kosova t’i rikthehet dialogut, deputetja ka deklaruar se nëse kjo ndodhë, atëherë ky është edhe një dështim tjetër i vet Bashkimit Evropian.
“Nëse Franca vendos me përdor çështjen e vizave si formë të presionit për Kosovën që me iu rikthy dialogut, unë mendoj që është një tjetër dështim i vet Bashkimit Evropian në raport me Kosovën në këtë proces pasi ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm me qenë në dialog, jemi prapë të gatshëm me vazhdua me dialog, pro në situatën ë të cilën është vendi jonë nuk ka hapësirë me iu rikthy dialogut pasi tash janë dy çështje shumë me rëndësi me u diskutu, vendosja e sanksioneve për Serbinë dhe ofrimi i sigurisë për Kosovën. Pa i trajtu këto të dyja, mendoj se nuk ka hapësirë të mjaftueshme me iu rikthy dialogut”, është shprehur deputetja Kryeziu-Hyseni.