Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Deputetja e VV-së për kallzimin penal ndaj ministres Nagavci: Kjo është veç fushatë e opozitës

 
   

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të dorëzuar nga anëtarët e Komisionit Hetimor për Tekstet Shkollore ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, duke e quajtur këtë veprim të paligjshëm dhe të pavlefshëm.

Ajo ka theksuar se ka pasur shkelje të rregulloreve dhe ligjit për hetimin parlamentar gjatë këtij procesi. Tishukaj tha se komisioni ka shkelur procedurat e duhura, pasi hetimi, siç thotë ajo, ishte ende në fazën e intervistimit të dëshmitarëve dhe ende nuk ishte arritur një raport final.

‘’ E para  me dorëzimin e këtij kallëzimi ka pasur shkelje procedure , e dyta është shkelur rregullorja edhe ligji për hetim parlamentar. Ne kemi qenë në fazën e hetimeve, kemi qenë duke marrë intervistim të  dëshmitarëve’’, tha Tishukaj.

Sipas saj, shumica parlamentare nuk ka qenë e përfshirë në mënyrën e duhur dhe nuk ka miratuar asnjë raport në komision.

Ajo e konsideron draft-raportin si të paligjshëm dhe pa legjitimitet, pasi nuk është votuar nga anëtarët e komisionit, siç e kërkon ligji.

‘’Neve absolut nuk na kanë marrë parasysh si shumicë parlamentare, për mua ai draft raport se as raport nuk mund ta quaj sepse për mua është jo ligjor sepse ai është dashur të votohet në komision siç e thotë edhe ligji’’, tha deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje.

Po ashtu, Tishukaj ka mbrojtur ministren Nagavci, duke thënë se ajo ka dhënë një shpjegim të qartë dhe të detajuar mbi përdorimin e fondeve për tekstet shkollore, duke theksuar se ka ndjekur procedurat e duhura dhe ka siguruar transparencë për procesin. Sipas Tishukaj, ky veprim i komisionit është një përpjekje e opozitës për të politizuar çështjen dhe për të përdorur këtë proces hetimor në mënyrë të paqartë dhe jo legjitime

‘’Besoj që ministrja kur e ka dhënë deklaratën e saj e ka thënë shumë qartë se në cilat kode buxhetore janë marrë paratë si janë asistuar prindërit, si ka funksionuar procesi. Kjo është veç fushatë e opozitës, ky është draft raport jo I votuar që nuk ka legjitimitet ligjor’’, përfundoi Tishukaj.