Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Deputetja gjermane: Këshillat që japim të inkorporohen në vendimet që merren

 
   

Siguria në rajon përfshirë Kosovën, mbetet në vëmendje të Gjermanisë.

Sidomos pas rastit të 24-shtatorit në Bansjkë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

E që një rast i tillë të mos përsëritet, të mërkurën në Prishtinë zbarkuan anëtarët e komisionit të Mbrojtjes të Bundestagut gjerman.

Aty u pritën në takim nga homologët e tyre kosovarë.

E pas takimit, kryetarja e komisionit të Mbrojtjes nga parlamenti gjerman tha se shteti i saj vazhdon të mbetet aleat i Kosovës.

Për televizionin, Marie Agnes foli edhe për situatën në katër komunat veriore.

“E dimë se ka pasur ndihmë të Gjermanisë në këtë rajon, e dimë se ndikimi rus në rajon nuk është vetëm këtu por edhe në mbarë vendet e tjera të cilat nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne po përpiqemi edhe këtu t’ju ndihmojmë aty ku mundemi, dhe jemi prezent për të zgjidhur konfliktet të cilat po shfaqen.  Shpresojmë që të mos ndodh deri te një eskalim i mundshëm”, tha ajo.

Ndër të tjerash ajo kërkoi nga qeveria e Kosovës të mos marrin vendime të cilat mund të ndikojnë në një përshkallëzim të situatës.

“Kërkojmë nga ju që ushtarët tanë që janë në mision këtu dhe iu shërbejnë sigurisë së vendit tuaj të jenë edhe vet të sigurt derisa ata janë në shërbim. Dhe është vendimtare në qoftë se flasim si miq, që këshillat të cilat i japim të inkorporohen në vendimet të cilat merren, sepse ato nuk i shërbejnë  vetëm miqësisë tonë por edhe stabilitetit në rajon në përgjithësi”, u shpreh deputetja gjermane.

E pozitive i vlerësoi raportet edhe kryetari i komisionit për çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha.

“Pas një vizite që kemi pas nga ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, patëm diskutime për çështje të ndryshme, të Mbrojtjes e të Sigurisë. Raportet e parlamentit gjerman edhe komisionet homologe kanë raporte shumë të mira unë e falënderoj kryetaren dhe gjithë deputetet për kontributin dhe përkrahjen që kemi pas nga shteti i Gjermanisë” , tha Berisha.

Në fillim të këtij muaji, për vizitë në Kosovë ishte edhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, nga ku përçoi mesazh se Gjermania mbetet e përkushtuar dhe aleate strategjike e Kosovës për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në vend.