Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po e vazhdon dëshminë e tij dëshmitari Gjergj Dedaj në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në pyetje këtë dëshmitarë është duke e marrë mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit, Luka Misetic.
Fillimisht, Misetic kërkoi që të paraqes konferencën për shtyp të 23 shtatorit 1998 të delegacionit të partive politike shqiptarë pas vizitës në Qirez dhe pas ngjarjes në Baicë.
Në këtë konferencë, Gjergj Dedaj tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë interesuar për aktivitetin e tyre politik.
Ndër tjerash, Dedaj kishte thënë se nuk kishte qenë i kërcënuar ndërsa sipas tij atë kohë kishte thënë se ndalesa e tyre ishte e pakuptimtë.
“Interesimi i tyre në radhë të parë ishte se pse nuk e kemi paralajmëru vizitën që mendoj se ne nuk do të paralajmërojmë vizitat se ku do të shkojmë asnjëherë dhe do të shkojmë edhe në territoret tjera sepse e kemi obligim të shkojmë tek njerzit tonë, tokat tona, trevat tona. Nuk kemi qenë të kërcënuar në kuptimin e fjalës kërcenim. Mendoj që ndalesa sipas menimit tim ishte e pa kuptimtë. S’ka pas arsye që ne te ndalohemi përderisa ne ishim të gjithë persona publik domethënë ishim njerëz që për aktivitetin tonë, punën tonë domethënë e dinte i gjithë opinioni dhe kemi punu në mënyre legale, prandaj ne nuk kishim shkuar që të bëjmë asnjë lloj propagande, as politike, as partiake, as kundër UÇK-së as kundër UÇK-së”, kishte thënë Dedaj në këtë konferencë.
Pas kësaj, Dedaj u pyet edhe për shenjat që iu shihen në video Sokol Blakajt. Dedaj tha se nuk e di dhe se ka pasur mundësi që të jetë rrëzuar.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.