Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dëshmitarët e radhës në Hagë: Avokatët e krerëve të UÇK-së kërkojnë më shumë kohë për hetime

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka dorëzuar listën me 12 dëshmitarët e radhës që do të japin dëshminë e tyre, në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, avokatët e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, janë ankuar se ky njoftim i Prokurorisë ka ardhur me vonesë.

Mbrojtja e krerëve të UÇK-së ka vlerësuar se koha që ua ka dhënë Gjykata që të tregojnë për kohën që do t’i marrin në pyetje këta dëshmitarë, është tejet e shkurtër. Kjo pasi nevojitet studim i dëshmive e dokumentacioneve që ndërlidhen me këta dëshmitarë.

“Aktualisht, Mbrojtja ka shtatë (7) ditë për të treguar: (i) cilët dëshmitarë ka ndërmend të marrë në pyetje dhe, një vlerësim kohor për marrjen në pyetje të çdo dëshmitari”, thuhet në nisje të parashtresës.

“Mbrojtja vëren se nga 21 dëshmitarët e listuar në Parashtresën e Prokurorisë, 4 janë dëshmitarë rezervë për bllokun e provave të korrikut 2023, d.m.th. dhe W03827, ka të ngjarë të thirren në gusht 2023. Mbrojtja synon të dorëzojë informacionin e kërkuar të mbrojtjes për këta 7 dëshmitarë deri të premten, 7 korrik 2023”, thuhet më tutje.

E për dëshmitarët e gushtit, avokatët kanë theksuar se nuk ka nevojë të nguten kaq shumë për të treguar se sa kohë do t’iu duhet për t’i intervistuar. Kjo pasi kanë shumë materiale që duhen trajtuar.

“14 dëshmitarët e mbetur nuk do të fillojnë të dëshmojnë para datës 14 gusht 2023. Vëllimi i materialit që do të merret në konsideratë në lidhje me këta dëshmitarë përbën arsye të mirë për një zgjerim të afatit shtatë (7) ditësh. Mbrojtja pohon se një periudhë trejavore për të përpiluar informacionin e mbrojtjes për këta 14 dëshmitarë është e arsyeshme dhe proporcionale, për arsyet e paraqitura më poshtë”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes së krerëve të UÇK-së.

Por, pse avokatët po kërkojnë më shumë kohë për të treguar se nga sa kohë iu duhet për secilin dëshmitar?

“Përpilimi i Informacionit të Mbrojtjes do të kërkojë shqyrtimin dhe analizën e deklaratave dhe dëshmive të mëparshme të dëshmitarëve të Prokurorisë, si dhe dokumenteve që Prokuroria synon të përdorë gjatë marrjes në pyetje të secilit. Numri i dokumenteve të lidhura me dëshmitarët e ZPS-së në fjalë është i konsiderueshëm dhe shumë më i madh se ata që mund të shqyrtohen në mënyrë të arsyeshme nga ekipet e mbrojtjes brenda shtatë (7) ditëve, ndërsa Mbrojtja tashmë është fokusuar në përgatitjen e marrjes në pyetje të tërthortë të dëshmitarët e planifikuar të dëshmojnë në korrik 2023”, thuhet në këtë dokument.

Shqyrtimi i këtyre dokumenteve, formulimi i parashtresave për pranueshmërinë dhe marrja e vendimeve për marrjen në pyetje të tërthortë, me arsye do të kërkojë më shumë se shtatë (7) ditë. Mbi këtë bazë, ekipet e mbrojtjes kërkojnë një zgjatje prej tre javësh në total për të përpiluar dhe siguruar informacionin e mbrojtjes për 14 dëshmitarët e mbetur. Një zgjatje e afatit do të ndihmojë gjithashtu që Mbrojtja të jetë në gjendje të japë përgjigje kuptimplote për pyetjet e Trupit Gjykues”, përfundon ky parashtrim.

Tash vendimi për këtë çështje i takon trupit gjykues, që do të vendosë nëse do t’i ofrojë mbrojtjes më shumë kohë lidhur me dëshmitarët që do ta fillojnë dëshminë në gusht.

Dëshmitarët e radhës të Prokurorisë do të paraqiten nga kjo javë. Në mesin e tyre do të jetë edhe ish-komandanti i UÇK-së për zonën e Llapit, Rrustem Mustafa.

Se do të jetë dëshmitar e kishte konfirmuar edhe vetë Remi. Ai pritet të përgjigjet lidhur me detyrat dhe strukturën komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.