Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dëshmitari deklaron se nuk e njeh askënd me emrin Millorad Gjokoviq

 
   

Prishtinë – Në gjykimin ndaj të akuzuarit Millorad Gjokoviq, këtë të premte në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dëgjuar dëshmitari Qerim Elshani, i cili deklaroi se e njeh Micko Gjokoviq por se nuk njeh askënd me emrin Millorad Gjokoviq.

“Emrin Millorad për herë të parë e kam dëgjuar këtu, kurrë nuk e kemi thirr Millorad, Micko e kemi thirr, me pru qitu të kallxoj a është Micko a jo se e njoh”, tha dëshmitari Elshani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, prokurori i rastit Kastriot Memaj i propozoi gjykatës që të lejohet dëshmitari ta identifikojë të akuzuarin nëse ai është personi i njëjtë, mirëpo një gjë e tillë u refuzua nga trupi gjykues.

Tutje, ai tha se Mickon pas luftës nuk e ka takuar asnjëherë më por që para luftës e ka takuar shpesh sepse kanë qenë kojshi, kanë punuar bashkë dhe janë takuar rrugëve shpesh.

Poashtu, ai tha se më 7 maj 1999, ka ardhur ushtria paramilitare e Serbisë dhe i kanë larguar nga shtëpia  me duar të lidhura mbrapa qafe dhe i kanë shtrirë në tokë.

“14 veta na kanë shti në një depo të një mekaniku, na kanë nguju brenda, ka qenë e premte, aty kemi nejt deri të dielen mbramje, skemi pas as ushqim as kurgjo, na ka rujt policia lokale”, ka thënë dëshmitari Elshani.

Gjithashtu, ai tha se i akuzuari ka qenë aty, si truprojë me pushkë automatike dhe uniformë të policisë.

“Në burgun e Pejës na kanë shti me duar nalt dhe na kanë rreh sa ske mujt me nejt në këmbë, çka kanë bo me neve është kiameti i Zotit”, ka deklaruar dëshmitari Elshani.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan  për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.