Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dëshmitari pretendon se Peleviqi u rrah nga një grua e UÇK-së

Predrag Dediq, dëshmitar i ZPS-së në çështjen ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve, ka pretenduar se personi me emrin Petko Peleviq mbahej në burg në ndërtesën e zjarrfikësve, si dhe, sipas tij, është rrahur nga një grua të cilën e kishte punësuar.

“Patjetër që e njoh. Është mbajtur edhe ai në burg. E njoh Petko Peleviqin mirë, ka qenë drejtor i një kompanie, e njoh mirë. Atë e shoqëronte një femër nga UÇK-ja. Më duket se kam folur me të shoqen e tij. Ma merr mendja që kam folur me atë. Më tha se e kishin rrahur atje. E kishte rrahur një grua të cilës ai i kishte dhënë punë në kompaninë e vetë. I kishte dhënë punë në kompaninë e vet dhe e shoqja pyeste pse e kishte rrahur kjo gruaja kur ai i kishte bërë një nder”, tha Dediq gjatë dëshmisë së tij.

Dediq tha se ishte gruaja e Peleviqit i kishte thënë atij se bashkëshorti i saj mbahej në ndërtesën e zjarrfikësve në Rahovec.

Dediq gjatë dëshmisë së tij, të hënën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka thënë se ka supozuar se edhe djali i tij ishte i ndaluar në ndërtesën e zjarrfikësve në Rahovec, raporton Betimi per Drejtësi.

Këtë supozim, dëshmitari tha se e mbështet në atë se dikush i kishte thënë se të gjithë personat që i dërgonin tek stacioni i policisë më pas i dërgonin tek ndërtesa e zjarrfikësve.

“Këtë thanë personat. Të gjithë personat që i çonin tek stacioni i policisë, më pas i çonin tek ndërtesa e zjarrfikëses dhe mbështetur në këtë, dola në përfundimin që thash”, tha dëshmitari Dediq, duke potencuar se nuk mund të tregojë saktë se për cilët persona bëhet fjalë që i kishin thënë pasi sipas tij do të ishte shpikje.