Edhe një tjetër dëshmitar i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka nisur dëshminë e tij para trupit gjykues në Hagë, në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai po intervistohet nga prokuroria në seancë private, lidhur me periudhën e vitit 1998 kur ai pretendon se është mbajtur e keqtrajtuar nga pjesëtarë të UÇK-së.
Një përmbledhje të dëshmitarit me kodin 4337 e ka lexuar prokuroi James Pace, sipas së cilit, ai ishte marrë nga shtëpia e tij në vitin 1998 dhe ishte mbajtur i ndaluar për rreth një muaj.
Prokurori ka thënë se dëshmitari është shqiptar i Kosovës dhe se në vitin 1998 ishte një bujk.
Pace: Dëshmitari është një bujk që u keqtrajtua nga ushtarët e UÇK-së
“Dëshmitari 4337 është shqiptar i Kosovës i cili në vitin 1998 ishte një bujk. Në mes të gushtit e morën nga shtëpia ushtarët e UÇK-së dhe e mbajtën për rreth një muaj të ndaluar. E morën në pyetje anëtarët e UÇK-së. U abuzua verbalisht dhe u kërcënua, u keqtrajtua dhe u rrah disa herë nga pjesëtarë të UÇK-së, gjithashtu vërejti që u rrahën edhe të ndaluar të tjerë dhe ishin në kushte të dobëta. Gjatë kohës që u mbajt në ndalim, dëshmitari 4337 qëndroi në një dhomë pa dyshekë dhe nuk i dhanë ushqim të mjaftueshëm, nuk u trajtua nga pikë[amja mjekësore. Lëndimet që pësoi dëshmitari 4337 për shkak të rrahjes dhe keqtrajtimit kanë ende ndikim në mirëqenien dhe shëndetin e tij”, ka lexuar Pace.
Pyetjet sqaruese për këtë dëshmitar janë zhvilluar në seancë private e cila pastaj ka vazhduar me përmbajtje të redaktuar apo tërësisht e mbyllur për publikun.
Tutje, gjykata ka lëshuar në transmetim publik një pjesë të shkurtë të dëshmisë së këtij dëshmitari.
Prokurori Pace: Ne seancë private ne folëm lidhur me ndalimin tuaj, nuk do e themi vendin se ku, a mund të na thoni nëse gjatë apo pas këtij ndalimi ndonjë pjesëtar i UÇK-së ju dha mundësinë të kundërshtoni faktin që ishit ndaluar?
Dëshmitari: Asnjëherë.
Prokurori Pace: Gjatë ose pas ndalimit, a ju dha ndonjë pjesëtar u UÇK-së ndonjë dokument që pretendonte se kjo ishte baza se pse ju kishin ndaluar juve, që pretendon e ju kishit bërë diçka keq dhe për këtë arsye ju ndaluan?
Dëshmitari: … (Nuk kuptohet përgjigja)
Prokurori Pace: Gjatë ose pas ndalimit tuaj, ndonjë pjesëtar i UÇK-së a ju ka akuzuar konkretisht për ndonjë krim që pretendohej se ishte kryer atëherë?
Dëshmitari: Jo asnjëherë.
Prokuroi Pace: Gjatë ose pas ndalimit tuaj, a ka pasur ndonjë pjesëtar të UÇK-së që ju ka akuzuar për ndonjë krim konkret që pretendohet që keni kryer ju.
Dëshmitari: Askujt nuk i kam pasur borxh asnjëherë.
Pas kësaj seanca ka vijuar me përmbajtje të redaktuar.
Dëshmitari me kodin 4337 pritet të intervistohet rreth tri orë nga prokuroria ndërsa gjashtë të tjera nga ekipet mbrojtëse.
E gjithë dëshmia e tij mund të përfundojë brenda dy ditësh.
Ky është dëshmitari i dymbëdhjetë i ZPS-së në gjykimin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Gjykimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të tyre.
Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.