Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dëshmitari thotë se është dëmtuar mbi 90 mijë euro për pronën që e kishte blerë nga njëri i akuzuar

 
   

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në cilësi të dëshmitarit/ të dëmtuarit është dëgjuar Fadil Lubeniqi, i cili ndër të tjera tha se paraqet kërkesë pasurore-juridike në këtë çështje penale dhe atë në shumën mbi 90 mijë euro, për pronën e blerë nga i akuzuari Zoran Ballabani.

Në këtë rast, Jakup Tërnava, ish-drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë-Kosovës, së bashku me Liridona Mustafa-Sadikun, Ejup Gërgurin dhe Fehmi Mustafën, po akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo të autoritetit zyrtar”, kurse i akuzuari Bekim Sabedini po akuzohet për “Legalizim të përmbajtjes së rreme” dhe “Falsifikim të dokumenteve”, si dhe Zoran Ballabani i cili gjendet në arrati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Lubeniqi tha se ishte takuar më të akuzuarin Ballabani, ku së bashku me të dëmtuarin tjetër Burim Haklajn, ishin pajtuar që ta blejnë pronën mbi 2 hektarë, me çmim përfundimtar 160 mijë euro.

Lidhur me pagesat për pronën e blerë nga Ballabani, dëshmitari Lubeniqi, tha se fillimisht i kishin paguar në formë të paradhënies nga 5 mijë euro së bashku me Haklajn.

Pasi që prona ishte kthyer në emrin e tyre, tha se ishte bërë pagesa totale prej 160 mijë euro përmes bankës.

Për të akuzuarit Tërnava, Mustafa-Sadiku, Gërguri, Mustafa dhe Sabedini, Lubeniqi tha se i njeh vetëm në cilësi të zyrtarëve të Komunës së Fushë-Kosovës dhe se as edhe një kafe me ta nuk e kishte pirë, duke refuzuar se i kishte paguar për këtë çështje.

“As kafe, as cigare, as kurgjo, ndërsa nuk kam paguar asgjë për zyrtarët komunalë. Nuk kam bërë asnjë shërbim ndaj tyre, thjesht nuk kam dhënë ryshfet”, tha Lubeniqi.

Gjithashtu, dëshmitari tha se pasi që ishte ftuar nga policia e kishte kuptuar se prona e blerë nga i akuzuari në arrati Ballabani, nuk ishte në emrin e babait të tij, por se ishte pronë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Lubeniqi tha se pronën e kanë vizituar edhe fizikisht, por që ai dhe i dëmtuari tjetër Haklaj, nuk ishin në dijeni se nuk ishte e babait të Ballabanit.

I ftuar për të dëshmuar në cilësi të dëshmitarit ishte edhe Ardian Berisha, mirëpo prokurorja Shenaj Berisha tha se për shkak se dëshmia e tij është e rëndësishme dhe se lëndën e ka pranuar jo shumë kohë më përpara.

Andaj, seanca u ndërpre dhe e radhës u caktua më 9 janar 2024, ku pritet të dëgjohen dëshmitarët Berisha dhe Sahit Rama.

Aktakuza ndaj Tërnavës, Mustafa-Sadiku, Gërgurit, Sabedinit dhe Ballabanit, ishte ngritur më 31 mars 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Ballabani gjendet në arrati.

Sabedini akuzohet për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “Falsifikim i dokumenteve” në bashkëkryerje me Ballabain, kurse Liridona Mustafa-Sadiku, Fehmi Mustafa, Ejup Gërguri dhe Jakup Tërnava, si zyrtarë të Komunës së Fushë-Kosovës, po akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.